Trump dhe Theresa May, kërcënojnë sërish Sirinë
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump tha se shumë shpejt do të ndërmerret një vendim mbi veprimet që do të ndiqen me Sirinë.
Ai u tha gazetarëve se bashkë me ekipin i tij ishin duke e trajtuar shumë seriozisht këtë situatë, pas sulmit me armë kimike në qytetin e Dumas. Shtëpia e Bardhë njoftoi më vonë se Trump do të bisedojë me udhëheqësit britanikë dhe francezë për të marrë një vendim përfundimtar, ndërsa mendohet se edhe fuqitë perëndimore po përgatiten për sulme. Rusia, aleati kryesor ushtarak i Sirisë, kundërshton fuqishëm një veprim të tillë të SHBA-ve dhe perëndimit, ndërsa ambasadori rus në Kombet e bashkuara, Nebenzia tha se nuk e përjashton mundësinë e një lufte mes Rusisë dhe SHBA-ve. Qeveria britanike ka rënë dakord “për nevojën për të ndërmarrë veprime” në Siri për të penguar përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike. Mediat britanike raportojnë se gjatë një takimi të kabinetit qeverisës, ministrat kanë rënë dakord se ishte “shumë e mundshme” që qeveria siriane të ishte përgjegjës për sulmin kimik, duke rënë dakord se përdorimi i armëve kimike nuk duhet të kalojë i pandëshkuar. Burime për median thonë se Theresa May është e përgatitur të ndërmarrë masa kundër qeverisë pa kërkuar më parë pëlqimin parlamentar.