Europa: Izraeli t'ia çojë provat ANEA-së
Shefja e politikës së jashtme të BE thotë se ajo që kryeministri izraelit u përpoq të paraqiste si dokumente mbi aktivitetet bërthamore "sekrete" të Iranit nuk vë në pikëpyetje përputhjen e Teheranit me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe se çdo pretendim i tillë duhet të vlerësohet vetëm nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB që është ANEA.
Diplomatja më e lartë e BE-së më tej përsëriti se për momentin ajo nuk kishte parë nga "argumentet e Netanjahut ndonjë dëshmi për mospërputhjen e Iranit me angazhimet e tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore ". Ajo shtoi se në vend që të dalë para kamerave, Netanjahu duhet t'ia dorëzojë ANEA-së faktet që pretendon se i posedon. Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike tha se nuk ka prova të besueshme se Irani është duke punuar në zhvillimin e një pajisjeje shpërthyese bërthamore qysh pas vitit 2009 dhe se ajo e konsideron çështjen "të mbyllur" qysh pas publikimit të një raporti në dhjetor të vitit 2015. "Raporti i vitit 2015 ka theksuar se Agjencia nuk ka pasur indikacione të besueshme për aktivitete që lidhen me zhvillimin e një pajisjeje shpërthyese bërthamore në Iran. Bazuar në raportin e Drejtorit të Përgjithshëm, Bordi i Guvernatorëve ka deklaruar se shqyrtimi i çështjes është mbyllur", tha ANEA në një deklaratë të publikuar të martën.