Brukseli dhe Moska lobojnë për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore
Ekonomitë më të mëdha të Europës kanë filluar lobimin për të mbrojtur investimet e kompanive të tyre në Iran, në përpjekje për të mbajtur gjallë marrëveshjen bërthamore nga e cila Shtetet e Bashkuara u tërhoqën.
Gjermania dhe Franca kanë lidhje të rëndësishme tregtare me Iranin dhe ngelen të përkushtuara ndaj akordit bërthamor, ashtu si edhe Britania. Ndaj ministrat e jashtëm të tre vendeve planifikojnë të takohen të martën e javës së ardhshme për të diskutuar mbi këtë temë. Ky takim është pjesë e valës së stuhishme të aktiviteteve diplomatike pas tërheqjes së njëanshme të Shteteve të Bashkuara nga “një marrëveshje e tmerrshme” ashtu siç presidenti Donald Trump e ka quajtur paktin për Iranin. Europa po përgatit kundërmasat e saj për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe interesat e saj. Siç paralajmëron ministri francez i Financave Bruno le Maire, do të synojnë anulimin e efekteve të vendimit të Trumpit që i vendos sanksione çdo firme jo amerikane, e cila vazhdon të bëjë biznes me Republikën Islamike. “Propozimi i Trumpit për ta futur Europën në vathën e politikave të jashtme të SHBA-së mbi Iranin mund të çojë drejt një përplasje me firmat dhe politikanët europianë. Ne duhet të punojmë me njeri tjetrin këtu në Europë për të mbrojtur sovranitetin ekonomik europian”, thotë Le Maire, ndërsa shton me tej se Europa mund të përdorë të njëjtat instrumente si Amerika në rast se cenohen interesat e saj.Trump madje lajmëroi rivendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Teheranit zyrtar dhe kërcënoi të njëjtin ndëshkim edhe ndaj firmave të huaja të cilat bëjnë biznes në Iran. Vijimësia e marrëveshjes bërthamore ka bërë bashkë si rrallëherë edhe Gjermaninë e Rusinë. Kancelarja Angela Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin Vladimir Putin, gjatë ditës së premte. Ndërkohë, në një tjetër bisedë përmes telefonit, kryeministrja britanike Theresa May dhe presidenti Trump kanë rënë dakord se palët duhet të zhvillojnë diskutime për mënyrën si sanksionet amerikane ndaj Iranit do të prekin kompanitë e huaja që veprojnë në Iran. Kancelarja gjermane, Angela Merkel mendon se bashkëpunimi ndërkombëtar është në krizë – mes të tjerash prej tërheqjes së SHBA nga marrëveshja atomike me Iranin. Tërheqja nga marrëveshja atomike me Iranin nga ana e Presidentit të SHBA, Donald Trump është një “shkak për shqetësim të madh, edhe një shkak për keqardhje” dhe shkel “besimin në rendin ndërkombëtar”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel në Konventën kombëtare të Katolikëve në Mynster. “Nuk është e drejtë” që të tërhiqesh në mënyrë të njëanshme nga një marrëveshje për të cilën është rënë dakord njëzëri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha Merkel. Përballë numrit në rritje të konflikteve në botë, Merkeli bëri thirrje që të mos bëhemi indiferentë “Ky rrezik ekziston përballë numrit të madh të imazheve të njerëzve,dinjiteti i të cilëve shkelet me këmbë”. Një numër i madh konfliktesh ndërkohë nuk zhvillohet shumë larg, “por direkt para derës së shtëpisë sonë”.