Turqia tërheq ambasadorët e saj nga SHBA dhe Izraeli
https://parstoday.ir/sq/news/world-i75500-turqia_tërheq_ambasadorët_e_saj_nga_shba_dhe_izraeli
Turqia ka tërhequr ambasadorët e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Izraeli, si protestë zyrtare ndaj vendimit të administratës së presidentit Donald Trump për ta zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 15, 2018 08:27 Europe/Tirane
  • Turqia tërheq ambasadorët e saj nga SHBA dhe Izraeli

Turqia ka tërhequr ambasadorët e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Izraeli, si protestë zyrtare ndaj vendimit të administratës së presidentit Donald Trump për ta zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Mediat turke cituan zëvendëskryeministrin Bekir Bozdag, i cili ka thënë se diplomatët e lartë janë urdhëruar të kthehen në Turqi. Lajmi është konfirmuar edhe nga ambasada e Turqisë në Uashington.  Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ka kritikuar vendimin e SHBA-së për ta zhvendosur ambasadën e saj në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem. “Ajo që po bën Izraeli është gjenocid. Izraeli po ushtron terror shtetëror. Izraeli është shtet terrorist”, tha Erdogan, duke folur para studentëve me bursa në Londër. “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me popullin palestinez me vendosmëri”, shtoi presidenti turk. “Ne nuk do të lejojmë që sot të jetë dita kur bota myslimane humb Kudsin”, tha ai. Presidenti turk shtoi se një tubim i madh do të mbahet në sheshin Yenikapi të Stambollit të premten lidhur me dhunën në Gaza. Erdogan bëri thirrje që të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësinë fetare, të ngrisin zërin kundër padrejtësisë në Gaza. Po ashtu, presidenti i Turqisë njoftoi se Turqia ka shpallur tri ditë zie kombëtare në solidaritet me vëllezërit palestinezë. Ai u shpreh se në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, përgjatë Ramazanit do të organizojnë fushatë ndihme për palestinezët, së bashku me vendet anëtare të kësaj organizate.