Austria: SHBA e pabesueshme, Evropa të bashkohet
Kancelari austriak ka komentuar marrëdhëniet e BE me SHBA dhe Rusinë, si dhe krizat në Siri dhe Ukrainë. SHBA është bërë "gjithnjë e më e pabesueshme për ne", tha kancelari austriak në një intervistë me Financial Times.
"Gjëja më e rëndësishme është se Evropa duhet të mbetet e bashkuar," shtoi Sebastian Kurz. Përveç kësaj, kancelari austriak bëri thirrje për uljen e tensioneve mes Moskës dhe Uashingtonit në shumë çështje, duke theksuar gatishmërinë e Austrisë për të vepruar si ndërmjetës midis Rusisë dhe Perëndimit. Ai gjithashtu ka theksuar në mënyrë të përsëritur që Vjena tradicionalisht ka gëzuar një marrëdhënie të mirë me Rusinë dhe ka bërë thirrje për rifillimin e dialogut. "Ne nuk do të jemi në gjendje të zgjidhim të vetëm krizën në Ukrainë dhe në Siri, ne do të kemi sukses vetëm nëse gjejmë një mënyrë për të vepruar së bashku me SHBA-në dhe Rusinë, kështu që mendoj se nuk është negativ për BE nëse vendet si Austria kanë një marrëdhënie të mirë me Rusinë", tha Kurz. Ai shtoi se qeveria austriake ka plane për shkurtimin e pagesave që përfitojnë emigrantët, përfshi edhe refugjatët, në një lëvizje që synon të frenojë flukse të reja të ardhurish. Pagesa kryesore e përfitimeve do të jetë jo më e lartë se 563 euro në muaj, por do të rritet deri në barazimin e shumës që përfitojnë austriakët (863 euro) vetëm nëse ata kalojnë testin e gjuhës gjermane. Ky njoftim e vendos Austrinë në konflikt të hapur me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, pasi rregullat e BE-së për lirinë e vendosjes kërkojnë që qytetarët e të gjitha vendeve të trajtohen në mënyrë të barabartë.