ISIS merr përsipër përgjegjësinë për sulmin në Belgjikë
Grupi terrorist ISIS ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin në qytetin Liezh të Belgjikës.
ISIS ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e një dite më parë në qytetin belg të Liezhit, ku mbetën të vrarë dy oficere policie dhe një kalimtar i rastit, por pa dhënë prova për këtë. Grupi terrorist njoftoi përmes një deklarate “online” se “një ushtar i ISIS” kishte kryer atë që policia belge e konsideroi një sulm terrorist. Edhe në të kaluarën, akte të ndërmarra nga të ashtuquajturit “ujqër të vetmuar”, të frymëzuar nga terroristët, janë marrë përsipër nga ISIS, e në shumicën e rasteve pa e vërtetuar përmes provave. Ndërkohë, autoritetet belge përballen me pyetjet se, përse agresori, një i burgosur që dyshohej për lidhje me radikalët në burg, u la i lirë për një ditë. Ai u qëllua për vdekje nga policia përpara një shkolle pranë vendngjarjes. Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon tha se autoritetet ishin ende duke hetuar motivet që e shtynë Benjamin Hermanin, një shpërndarës droge 31-vjeçar belg i cili ishte prej vitesh në qeli, i lënë në liri për dy ditë gjatë së hënës, të ndërmerrte këtë veprim, edhe pse pritej të dilte nga burgu në vitin 2020. Ministri i Drejtësisë, Koen Geens tha për një medie lokale se, ende e brente ndërgjegjja mbi faktin nëse agresori duhej lejuar të dilte nga qelia për dy ditë. Ende të tronditur nga sulmi, banorë të qytetit të tretë më të madh të Belgjikës vendosën lule dhe ndezën qirinj në vendin e ngjarjes, gjatë së mërkurës, ndërsa zyrtarët lokalë mbajtën një moment heshtjeje.