"Tmerrësisht keq" biseda Macron-Trump
Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, kanë pasur një bisedë të tensionuar telefonike, gjatë të cilës Macron e ka kritikuar shefin e Shtëpisë së Bardhë për politikat që po ndjek, raporton CNN.
Biseda është zhvilluar të enjten e kaluar, e njëjta ditë kur SHBA-të njoftuan vendosjen e tarifave për aluminin dhe çelikun që importohen nga Bashkimi Europian, Meksika dhe Kanadaja. “Shkoi shumë keq. Ishte e tmerrshme”, i ka thënë një burim CNN-it në lidhje me bisedën. “Macron mendoi se mund t’i thoshte atë që mendonte, duke u nisur nga marrëdhënia e tyre. Por Trump nuk duron dot ta kritikojnë”, ka shtuar burimi. Ndërkohë, në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, telefonata Trump-Macron përshkruhet si një diskutim për tregtinë dhe emigracionin. “Të dy liderët diskutuan mbi problemin e emigracionit nga Libia dhe mundësinë e zgjidhjes. Presidenti Trump theksoi nevojën për të ribalancuar tregtinë me Europën”, thuhet në deklaratë. Macron dhe Trump u shfaqën shumë miqësorë në vizitën që presidenti francez zhvilloi disa javë më parë në Shtëpinë e Bardhë.