Putin: S'kemi plane për tu larguar nga Siria
Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska nuk ka plane për tërheqjen e trupave nga Siria, duke theksuar se forcat ushtarake të vendit të tij do të mbeten në vendin arab të shkatërruar nga lufta për sa kohë që kjo prani është në interesin e Rusisë.
"Sa i përket pranisë së ushtarëve tanë në Siri, ekzistojnë dy vende ku ata janë të vendosur. Njëri është porti Tartus, dhe tjetri është baza ajrore Hmeimim. Vlen të përmendet se këto më shumë janë vende të dislokimit të forcave të Rusisë, sesa baza ushtarake. Ne nuk po ndërtojmë objekte për plane afatgjata atje, kështu që ne do të jemi në gjendje të tërheqim menjëherë personelin tonë ushtarak nëse do të jetë e nevojshme ", tha Putin të enjten gjatë një bisede televizive vjetore me publikun rus. Ai theksoi se trupat ruse ishin në Siri me kërkesë të qeverisë së Damaskut dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. "Ushtria jonë është atje për të siguruar interesat e Rusisë në një rajon të rëndësishëm në botë. Ata do të qëndrojnë atje për aq kohë sa Moska ta gjykojë të arsyeshme në përputhje me angazhimet e saj ndërkombëtare", vuri në dukje Putin.