Zyrtarët amerikanë po braktisin Shtëpinë e Bardhë?
Ndërkohë që Donald Trump ka udhëtuar drejt Singaporit për takimin historik me liderin koreano-verior Kim Jong Un, në Shtëpinë e Bardhë mbretëron kaosi.
Sipas “New York Times”, janë të shumtë funksionarët që janë gati të braktisin detyrën dhe më të shumtë do të jenë pas zgjedhjeve te mes-mandatit. Sipas gazetës prestigjioze, në radhë për t’u larguar është edhe shefi i personelit të selisë presidenciale, John Kelly dhe zëvendësi i tij Joe Hagin. Kelly, sipas burimeve politike të cituara nga e përditshmja, në një takim me disa senatorë e ka cilësuar situatën të dëshpëruar. Megjithatë, largimet eventuale duket se nuk e trembin presidentin amerikan, i cili i qëndron besnik parimit për të larguar atë që e pengon dhe atë që i thotë “jo”. Sipas atyre që nuk e njihnin Trumpin përpara hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë, sjellja e kreut të shtetit po përkeqësohet ditë pas dite. Ndërsa ata që kanë punuar me të edhe në të kaluarën, të cituar nga “NYT”, thonë se miliarderi nuk ka ndryshuar kurrë. E sigurt është se Trump ka hyrë në histori si presidenti që ka humbur më shumë këshilltarë pa përmbushur ende mandatin e tij të parë.