Dorëhiqet Boris Johnson
Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, ka dhënë dorëheqjen mes krizës gjithnjë e në rritje politike për shkak të strategjisë së Britanisë së Madhe në procesin e BREXIT-it.
Johnson është i dyti ministër i kabinetit qeveritar që jep dorëheqjen brenda pak orësh, pas largimit të Sekretarit për BREXIT-in, David Davis. Largimi i diplomatit britanik erdhi vetëm 30 minuta përpara se kryeministrja Theresa May të flasë përpara Parlamentit mbi planin e ri për BREXIT-in, që ka irrituar shumë deputetë, kryesisht konservatorë. Përmes një deklarate, qeveria britanike falënderoi Johnsonin për punën e tij, dhe njoftoi se një zëvendësues i tij do të bëhet publik shumë shpejt. Më parë, Sekretari britanik për Brexit, David Davis, i cili ka udhëhequr negociatat e Britanisë së Madhe për braktisjen e Bashkimit Evropian ka dhënë dorëheqje nga Qeveria Britanike. Në letrën e tij të dorëheqjes ai ka kritikuar planin e qeverisë për Brexit, duke thënë se do ta vendoste Parlamentin në një pozitë të dobët në procesin negociues. Britania e Madhe përmes referendumit në qershor të vitit 2016 vendosi që të braktisë BE-në, mirëpo largimi ende nuk ka marrë formën e prerë, dhe negociatat pritet të zgjasin me vite.