Për Trumpin, takimi me Putinin është më i lehti!
(last modified Tue, 10 Jul 2018 17:27:14 GMT )
Korrik 10, 2018 19:27 Europe/Tirane
  • Për Trumpin, takimi me Putinin është më i lehti!

Presidenti amerikan Donald Trump nisi këtë të mërkurë udhëtimin e tij njëjavor në Europë, me kritika të ashpra ndaj aleatëve të NATO-s, duke parashikuar madje se “më i lehti” i takimeve gjatë udhëtimit të tij mund të jetë ai kokë më kokë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë që linte Shtëpinë e Bardhë për turneun e tij në 4 shtete europiane, Trump bëri shumë pak përpjekje për të garantuar aleatët, të shqetësuar nga rreziku që ai mund t’i shkaktojë paktit 69-vjeçar të mbrojtjes së përbashkët transatlantike, e me gjasë edhe nga “përqafimi” me Putinin gjatë samitit në Helsinki. Trump tha se, “nuk mund ta deklaroj tani” nëse Putini është mik apo armik, por thjesht e quajti atë një “konkurrent”. Duke folur për reporterët përpara largimit nga Uashingtoni për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s, Trump e kritikoi paktin, duke thënë se “e thënë shkoqur, ai ndihmon më shumë ata, sesa neve”. Trump u ka bërë presion vendeve anëtare të NATO-s të përmbushin detyrimin e tyre për shpenzime sa 2 për qind e GDP-ve të vendeve respektive në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2024. Gjatë fushatës së tij presidenciale, ai sugjeroi se do t’i shkonte në ndihmë vetëm aleatëve të NATO-s që e përmbushin këtë detyrim, por kritika vijon edhe sot e kësaj dite.

 

Tags