Orban sulmon shtetet e Evropës Perëndimore
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka sulmuar ato që ai i quajti shtete “jodemokratike” të Evropës Perëndimore dhe sërish ka shprehur qëndrimin e tij për një Evropë të krishterë dhe “joliberale”.
“Ka liberalizëm në Perëndim, por nuk ka demokraci”, tha Orban gjatë një tubimi me hungarezët etnikë në Rumaninë fqinje. Ai tha se censura është “bërë e zakonshme” në Evropën Perëndimore dhe se vendet atje kanë imponuar “kufizime në lirinë e shprehjes”. Orban, që është nacionalist i krahut të djathtë, në mënyrë specifike ka sulmuar Komisionin Evropian, të cilin e ka cilësuar si “simbol të dështimit”. “Komisioni Evropian po shkon, ne po vijmë”, tha Orban për këtë institucion të Bashkimit Evropian që propozon legjislacion dhe zbatimin e vendimeve dhe traktateve. Kryeministri hungarez tha se zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm në Parlamentin Evropian do të dominohen nga “një temë serioze dhe e përbashkët – emigracioni”. Orban u bëri thirrje partive të krahut të djathtë që të bashkojnë forcat dhe që të gjitha “të përqendrohen në zgjedhjet evropiane të vitit 2019” dhe që ta vënë migracionin në krye të agjendës së tyre. “Demokracia e krishterë nuk është liberale… Është joliberale, nëse dëshironi ta quani kështu”, tha Orban. Kryeministri i Hungarisë tha se politikat “elitë” të Bashkimit Evropian kanë dështuar që ta mbrojnë Evropën nga emigracioni mysliman. Ai tha se “demokracia e krishterë” kundërshton multi-kulturalizmin dhe emigracionin dhe se është anti-komuniste, por qëndron përkrah vlerave të krishtera.