Trump dëshiron tjetër takim me Kim Jong-un
https://parstoday.ir/sq/news/world-i79950-trump_dëshiron_tjetër_takim_me_kim_jong_un
Presidenti amerikan Donald Trump falenderoi të enjten nëpërmjet një postimi në twitter udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, një ditë pas mbërritjes në SHBA të eshtrave që mendohet se mund të jenë të ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë luftës koreane.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Gusht 02, 2018 16:49 Europe/Tirane
  • Trump dëshiron tjetër takim me Kim Jong-un

Presidenti amerikan Donald Trump falenderoi të enjten nëpërmjet një postimi në twitter udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, një ditë pas mbërritjes në SHBA të eshtrave që mendohet se mund të jenë të ushtarëve amerikanë të vrarë gjatë luftës koreane.

Postimin e tij drejtuar udhëheqësit të Phenianit, Trump e përfundonte duke thënë se “mezi priste të shihej me të së shpejti”, ndoshta duke shprehur interes për një tjetër takim. Në Singapor gjatë takimit të tyre historik, udhëheqësi i Phenianit ra dakord “të realizonte çarmatimin bërthamor të Gadishullit Korean”, por dokumenti i nënshkruar nga dy udhëheqësit nuk përmbante hollësi se si dhe kur do të ndodhte kjo. Javën e kaluar sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha se Koreja e Veriut po prodhon ende lëndë djegëse për armë bërthamore, pavarësisht premtimeve për të hequr dorë nga programi i saj bërthamor. Edhe gazeta Washington Post raportonte se agjencitë amerikane të zbulimit kanë të dhëna, nëpërmjet fotografish satelitore, se Koreja e Veriut po ndërton raketa të reja në një impiant të madh kërkimor në Sanumdong.