Rekord temperaturash të larta, dy të vdekur në Spanjë
Dy persona kanë humbur jetën në Spanjë si pasojë e temperaturave të larta, që kanë përfshirë gadishullin Iberik, ku sipas parashikimeve metereologjike, pritet të jenë më të larta se 45 gradë këtë fundjavë.
Autoritetet në rajonin juglindor të Murcia kanë konfirmuar se si pasojë e të nxehtit ekstrem, 2 persona humbën jetën. Ministria rajonale e Shëndetësisë, tha se një i moshuar 78 vjeçar humbi jetën të enjten ndërsa po punonte në kopshtin e tij, ndërsa një 41 vjeçar vdiq të mërkurën pasi pësoi goditje nga i nxehti teksa punonte në autostradë. Një valë jashtëzakonisht e nxehtë që vinte nga Afrika përfshiu që të mërkurën disa zona të Spanjës, ku temperaturat arritën deri në 45 gradë këtë të shtunë. Në alarm të kuq nga i nxehti janë dy provinca në rajonin perëndimor të Extremadura, ndërsa Madridi dhe pjesa më e madhe e Spanjës qëndrore dhe jugperëndimore janë në alarm portokalli. Megjithatë sipas zyrës së metereologjisë së Spanjës, Aemet, temperaturat nuk pritet të tejkalojnë rekordin evropian prej 48 gradësh të vendosur në Athinë në vitin 1977. “ Ne jemi në një valë të nxehti që do të zgjasë deri të hënën, ndërsa të martën dhe të mërkurën temperaturat do të ulen ndjeshëm,” ka deklaruar Ruben Del Campo, zëdhënës i Aemet. Ai tha se temperatur më e lartë e regjistruar në Spanjë deri tani është ajo e 46.9 gradë, ndërsa në disa zona në rajonin jugor të Alentejos në Portugali temperaturat pritet të shkojnë në 47 gradë. Ndërkohë shërbimet e emergjencës në Portugali janë në gadishmëri për të parandaluar përsëritjen e një katastrofe të mundshme nga zjarret si ajo e vitit të kaluar ku 114 persona humbën jetën.