Ditët e dollarit si monedhë globale janë të numëruara
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Rusia ka hulumtuar për disa kohë përdorimin e monedhave kombëtare për të zgjidhur marrëveshjet e tregtisë dypalëshe me Turqinë dhe vendet e tjera.
Lavrov, i cili ishte duke folur në një konferencë shtypi me homologun e tij turk në Ankara, tha të martën se roli i dollarit amerikan si monedhë tregtare globale ishte në rënie. "Unë jam i bindur se abuzimi i rëndë me rolin e dollarit amerikan si monedhë rezervë globale, do të rezultojë me dobësimin dhe shkatërrimin e këtij roli". Diplomati i lartë rus vazhdoi të thotë se Moska favorizon tregtinë dypalëshe me të gjitha vendet në monedhën e tyre kombëtare, në vend të dollarit. "Përdorimi i monedhave kombëtare për tregti të ndërsjellë ka qenë për disa vite një nga detyrat që kryen presidentët e Rusisë dhe Turqisë", tha Lavrov duke shtuar: "Proceset e njëjta kanë ndodhur në marrëdhëniet tona me Iranin. Jo vetëm me Turqinë dhe me Iranin, ne po organizojmë dhe po zbatojmë tashmë pagesat në monedhat kombëtare edhe me Republikën Popullore të Kinës ". Komentet e Lavrov vijnë pasi Kremlini tashmë ka mbështetur një plan turk për të mënjanuar dollarin dhe për të tregtuar me monedhat kombëtare. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se Turqia po përgatitej të zhvillonte tregtinë nëpërmjet monedhave kombëtare me Kinën, Rusinë dhe Ukrainën. I pyetur për propozimin e Erdoganit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha të hënën se Rusia po nxiste një marrëveshje të tillë me të gjitha vendet. Ai tha se çështja ishte ngritur në më shumë se një rast gjatë bisedimeve dypalëshe. Erdogan, i cili ka përshkruar rënien e lirës së Turqisë, pasojë e një komploti, tha gjithashtu se veprimet e fundit të SHBA ishin një goditje pas shpine kundër Ankarasë. Presidenti i SHBA Donald Trump ka shkuar tepër larg në një valë sanksionuese në muajt e fundit, duke synuar Iranin, Turqinë dhe Rusinë dhe duke krijuar atë që ekspertët e kanë quajtur "boshti i të sanksionuarve". Tensioni mes Uashingtonit dhe Ankarasë është intensifikuar pas burgosjes së një pastori amerikan në Turqi, por analistët politikë mendojnë se arsyeja e vërtetë e presioneve të SHBA-së ndaj Ankarasë është afrimi i Turqisë me Rusinë dhe Iranin. Tensioni Uashington-Ankara ka ngritur pyetje edhe mbi partneritetin e ardhshëm midis dy aleatëve të NATO-s. Presidenti tashmë ka paralajmëruar se Turqia do të "kërkojë miq të rinj" pasi SHBA e ka sulmuar Ankaranë me sanksione. Duke shkruar në New York Times, Erdogan paralajmëroi: "Uashingtoni duhet të heqë dorë nga nocioni i gabuar se marrëdhënia jonë mund të jetë asimetrike dhe të mësohet me faktin se Turqia ka alternativa."