Pas daljes nga kriza, Tsipras drejt rikompozimit të qeverisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i80495-pas_daljes_nga_kriza_tsipras_drejt_rikompozimit_të_qeverisë
Kryeministri grek Aleksis Tsipras pritet të prononcohet të martën për daljen e suksesshme të Greqisë nga programi i shpëtimit.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Gusht 22, 2018 22:58 Europe/Tirane
  • Pas daljes nga kriza, Tsipras drejt rikompozimit të qeverisë

Kryeministri grek Aleksis Tsipras pritet të prononcohet të martën për daljen e suksesshme të Greqisë nga programi i shpëtimit.

Tsipras pritet t’u drejtohet qytetarëve me një mesazh televiziv dhe për këtë do të shkojë në ishullin e Itakës, në detin Jon. Kjo përzgjedhje ka simbolikën e vet, pasi dihet që Itaka është ishulli ku mbreti vendas, Odiseu, u kthye pasi kaloi peripeci të shumta, 10 vjet pas përfundimit të Luftës së Trojës. Tsipras pritet të thotë se përfundimi i programit, hap një epokë të re për Greqinë dhe këtë epokë të re, duket se kryeministri grek do ta “inaugurojë” me një rikompozim të qeverisë. Edhe pse për këtë nuk ka asnjë deklaratë zyrtare, kjo është tema që dominon titujt mediatikë të ditës së martë. Rikompozimi ka shumë gjasë të shpallet të mërkurën dhe qeveria me përbërjen e re do të betohet të enjten. Sipas mediave priten ndryshime rrënjësore në qeverinë Tsipras. Të vetmit që mendohet se do të qëndrojnë në postet e tyre janë ministri i jashtëm Kotzias, ministri i financave Tsakalotos dhe ai i mbrojtës Kammenos, që është kryetar i partisë së djathtë Grekët e Pavarur – aleati i vetëm qeveritar i Koalicionit të së majtës radikale – SYRIZA.