BE i jep 18 milionë euro Iranit
Bashkimi Europian ka akorduar sot 18 milionë euro ndihmë për Iranin, për ta ndihmuar në kompensimin e ndikimit të sanksioneve të SHBA.
Shefja e politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini tha në një deklaratë se blloku është i angazhuar për bashkëpunim me Iranin. "Kjo paketë e re do të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike dhe sektoriale në fushat që janë të dobishme për qytetarët tanë," tha ajo. BE po punon për të ruajtur tregtinë me Iranin, i cili ka kërcënuar se do të ndalojë përmbushjen e marrëveshjes bërthamore nëse nuk arrin të shohë përfitimet ekonomike të lehtësimit nga sanksionet. Blloku do të shpenzojë 8 milionë euro për sektorin privat të Republikës Islamike, duke përfshirë ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe Organizatën e Promovimit të Tregtisë të Iranit. 8 milionë euro të tjera do të shkojnë në projektet mjedisore dhe 2 milion euro për të luftuar dëmet e shkaktuara nga droga.