Trump: Zgjidhje dyshtetërore për konfliktin e Lindjes së Mesme!!
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se dëshironte një zgjidhje dyshtetërore të konfliktit mes izraelitëve e palestinezëve, në atë që konsiderohet si shprehja më e qartë deri më sot e mbështetjes së administratës së tij për një përfundim të tillë.
Administrata e Trumpit ishte shprehur në të kaluarën se do të mbështeste një zgjidhje dyshtetërore, nëse të dyja palët binin dakord për këtë gjë.
Në takimin me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Trump tha gjithashtu se dëshironte të paraqiste një plan paqeje në dy apo 3 muajt e ardhshëm.
“Më pëlqen një zgjidhje dyshtetërore. Mendoj se kështu do të funksionojë më së miri. E ndiej se do të funksionojë”, tha Trump.
Nga ana tjetër, Netanyahu është shprehur se shteti i ardhshëm palestinez duhet të jetë i demilitarizuar dhe duhet të njohë Izraelin si shtet të popullit hebre, kushte këto të cilat sipas palestinezëve tregojnë se ai nuk është i sinqertë kur thotë se kërkon paqe.
Kundërshtarë të ashpër të zgjidhjes dyshtetërore janë edhe aleatët arabë të Shteteve të Bashkuara.