Vazhdon ndarja e fëmijëve nga prindërit në kufijtë e Amerikës
Me gjithë protestat e shumta brenda dhe jashtë Amerikës, Uashington vazhdon të zbatojë politikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre emigrantë në zonat kufitare.
Dikur një praktikë e rrallë, tani punonjësit e rendit ndajnë rregullisht familjet që kërkojnë azil apo përpiqen të futen në Shtetet e Bashkuara në rrugë të paligjshme. Afërsisht 2 mijë fëmijë janë ndarë nga familjet e tyre gjatë një periudhe gjashtë javore deri në fund të majit, thanë zyrtarë të administratës javën e kaluar. Pamjet e publikuara nga qeveria amerikane tregojnë kushte humane në një vend strehim për fëmijët. Por zemërimi po rritet lidhur me politikën e “tolerancës zero” të administratës për kalimet e paligjshme në kufi. Presidenti Trump vazhdon ta shohë debatin për imigracionin përmes lentes së sigurisë publike, duke përmendur shpesh anëtarë të një bande kriminale nga Amerika Qendrore, ndërsa kërkon politika më të rrepta. Presidenti po ashtu ka fajësuar vazhdimisht demokratët për të ndarjet e familjeve, duke pretenduar në mënyrë të gabuar se ata janë përgjegjës për situatën. Administrata aktuale po zbaton politikën e arrestimit të të gjithë imigrantëve që kalojnë kufirin në rrugë të paligjshme, përfshi ata që kërkojnë azil, dhe meqenëse fëmijët nuk mund të dërgohen në të njëjtat qendra ndalimi, ata po ndahen nga prindërit e tyre.