Takimi Putin-Vuçiç në Moskë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka mbështetur politikën e Serbisë për Kosovën me fjalët se, për Moskën “është e pranueshme vetëm ajo marrëveshje, me të cilën bie dakord edhe Beogradi”.
Putin dhe Vuçiç kanë biseduar edhe për raportet mes Rusisë dhe Serbisë, forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe investimet ruse në Serbi. Sa i përket rajonit, shefi i Kremlinit tha se këtu ka shumë tema që duhet të trajtohen, ndërsa Vuçiç foli për një situatë të komplikuar në Ballkanin Perëndimor, e shtoi se Serbia “po iu nënshtrohet provokimeve, ndonëse ajo do paqe dhe stabilitet”. “Zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende tepër larg”, theksoi presidenti i Serbisë, duke shtuar se vendi i tij është i vetmi i pavarur në rajon dhe si i tillë dëshiron të mbetet. Vuçiç është i pakënaqur me Perëndimin, e kjo Moskës i pëlqen. Analistët serbë thonë se kreu i shtetit ka dërguar disa herë kohët e fundit mesazhe për këtë pakënaqësi. Ata mendojnë se Vuçiç do të vazhdojë me zemërimet e tij, sepse shumë udhëheqës perëndimorë nuk u janë përgjigjur fare thirrjeve të tij telefonike. Ndaj ka vendosur që këtë çështje ta shtjellojë me Rusinë dhe Putinin. Por, politologu Boban Stojanoviç mendon se Vuçiç po përpiqet tani të ndërrojë strategjinë ndaj Kosovës. Ai i tha “Deutsche Welle”-s se, presidenti serb fillimisht mendoi të shpallë ndonjë referendum për normalizimin e marrëdhënieve. Por tani, kur duket se kjo strategji nuk do të kalojë, është e mundur që ai të mbajë zgjedhje të reja, në të cilat do të garonte me strategjinë e re për Kosovën, gjë që nënkupton edhe përkufizimin me shqiptarët. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha në Moskë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është ende e largët, ndërsa i premtoi presidentit rus, Vladimir Putin se vendi i tij do të ruajë paanshmërinë ushtarake. Ai i bëri këto komente gjatë takimit me presidentin rus, i dyti gjatë këtij viti, të cilin e falënderoi për siç tha, qëndrimin e vendosur në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe të interesave të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare të Serbisë. “Pavarësisht nga përpjekjet tona për të arritur kompromis dhe për të ndihmuar qëndrueshmërinë ndërkombëtare, jemi ende shumë larg nga çdo zgjidhje për problemin e Kosovës”, tha presidenti serb. Serbia një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euroamerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. “Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i tha ai presidentit rus, që nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall dhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Megjithatë, Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.