Gjermania kërkon krijimin e Këshillit të Sigurisë së BE-së
https://parstoday.ir/sq/news/world-i81863-gjermania_kërkon_krijimin_e_këshillit_të_sigurisë_së_be_së
Zyrtarët evropianë përsëritën gatishmërinë e Evropës për të mbrojtur interesat e tyre, duke theksuar edhe një herë pavarësinë evropiane kundër politikave të njëanshme të presidentit amerikan Donald Trump.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 09, 2018 16:29 Europe/Tirane
  • Gjermania kërkon krijimin e Këshillit të Sigurisë së BE-së

Zyrtarët evropianë përsëritën gatishmërinë e Evropës për të mbrojtur interesat e tyre, duke theksuar edhe një herë pavarësinë evropiane kundër politikave të njëanshme të presidentit amerikan Donald Trump.

Në qershor të vitit 2018, 9 vende evropiane mbështetën planin, i cili bazohet në formimin e një force reagimi të shpejtë të BE-së. Nga ana tjetër, ministri i jashtëm gjerman Heiko Mass, në fund të gushtit 2018, deklaroi se Gjermania do të forcojë bashkëpunimin ushtarak dhe "të ndërtojë një kundërpeshë" ndaj Shteteve të Bashkuara. Por kjo nuk është oferta e fundit nga gjermanët. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka bërë thirrje Evropës që të zhvillojë strategji të përbashkët në fushat kryesore. Nëse Gjermania dëshiron të jetë lojtare e rëndësishme në botën e globalizuar, kjo do të jetë e mundur vetëm nëse është së bashku me Evropën, u shpreh Merkel. “Të tjerët nuk flenë”, u shpreh Merkel, duke shtuar se fushat ku mund të ndërtohet një strategji e përbashkët në Evropë, do të ishin veçanërisht politika e jashtme dhe siguria. Në deklaratën e tij të fundit më 8 tetor 2018, Mass kërkoi formimin e një institucioni të ri evropian, që do të quhet "Këshilli i Sigurimit i BE-së". Berlini beson se anëtarët e BE duhet të miratojnë një qasje të re për vendimet e politikës së jashtme dhe që në vend të parimit të unanimitetit, të vihet theksi mbi parimin e votës së shumicës, sepse ky proces mund të shtojë efikasitetin e vendimmarrjes në nivel europian. Jean-Claude Juncker, kryetari i Komisionit Evropian, gjithashtu ka bërë thirrje për një proces të thjeshtësuar vendimmarrës në politikat e sigurisë dhe mbrojtjes të BE. Duke pasur parasysh mosmarrëveshjet në rritje midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, mbrojtja dhe politika e jashtme për Bashkimin Evropian dhe pavarësia e Bashkimit Evropian tani janë të një rëndësie të madhe për këtë union. Pavarësia në sektorin mbrojtës nënkupton zvogëlimin e varësisë së Evropës nga SHBA në fushën ushtarake. Bashkimi Evropian njoftoi në maj 2018 se do të caktojë rreth 20 miliardë euro për shpenzimet mbrojtëse nga viti 2021-2027. Ky buxhet do të shpenzohet në zhvillimin e teknologjisë së re ushtarake. Qeveritë evropiane kanë ardhur në përfundim se ato tani duhet të mbështeten në vetvete dhe se periudha e mbështetjes vetëm në Shtetet e Bashkuara nuk do të ruajë sigurinë e Evropës. Ministri i jashtëm i Gjermanisë ka mbështetur idenë e formimit të një sistemi financiar të pavarur të Evropës për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore.