Vrasja Khashoggi ishte planifikuar nga zyrtarët sauditë
Presidenti i Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka deklaruar se vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, që ndodhi në Konsullatën Saudite në Stamboll, ishte e planifikuar, si dhe theksoi se kërkesa e tij është që 18 personat e lidhur me vrasjen të gjykohen në Stamboll.
Presidenti turk, i cili u adresua në Klubin e deputetëve të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit në Parlamentin turk, ka folur mbi detajet lidhur me vrasjen e gazetarit Khashoggi. Ai bëri të ditur se një ekip saudit kreu inspektime në Pyllin “Belgrad” të Stambollit dhe provincën “Yalova” para vrasjes së Khashoggit. Erdogan theksoi se tashmë Konventa e Vjenës me gjasë të madhe do të vihet në diskutim, duke shtuar se, “Konventa e Vjenës nuk do të lejonte të ndodhte një vrasje e tillë ‘brutale’ në një ndërtesë konsullate”. “Qeveria e Arabisë Saudite zyrtarisht pranoi për vrasjen e Jamal Khashoggit 17 ditë pas vrasjes së tij”, theksoi ai, si dhe shtoi se, “Qeveria e Arabisë Saudite duke e pranuar vrasjen, hodhi një hap të rëndësishëm. Pas kësaj, prej tyre presim që me sinqeritet të nxjerrin në pah të gjithë përgjegjësit dhe t’i dënojnë para ligjit”, raporton agjencia turke e lajmeve, Anadolu Agency. Presidenti turk theksoi se kërkesa e tij është që 18 personat e lidhur me vrasjen Khashoggi të gjykohen në Stamboll. Sipas tij, nëse deklarata se kufoma e Khashoggit i është dhënë bashkëpunëtorit të brendshëm është e saktë, “atëherë kush është ai, duhet të sqaroni”. “Informacionet dhe faktet e deritanishme tregojnë se Jamal Khashoggi ishte viktimë e një vrasjeje mizore”, theksoi ai. Presidenti turk po ashtu tha se “fajësimi i vetëm disa pjesëtarëve të sigurisë dhe inteligjencës për Khashoggin nuk është i kënaqshëm për ne, as për komunitetin ndërkombëtar”. Ai lavdëroi mediat turke dhe ndërkombëtare për presionin e ushtruar mbi Rijadin lidhur me çështjen, duke thënë se e detyruan Arabinë Saudite të lejonte një hetim tërësor brenda konsullatës. Zyrtarët sauditë fillimisht pohuan me forcë se Khashoggi ishte larguar nga konsullata. Por më vonë ndryshuan versionin e ngjarjeve pas një hetimi të brendshëm dhe raportuan se gazetari vdiq si rezultat i një përplasje fizike brenda misionit diplomatik. Khashoggi për herë të fundit u pa më 2 tetor kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll. Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e tij, Arabia Saudite të shtunën pohoi se Khashoggi u vra gjatë një sherri brenda konsullatës. Në ditën e zhdukjes së Khashoggit, 15 sauditë, përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy aeroplanë dhe vizituan konsullatën, në kohën kur gazetari ishte ende brenda, kanë njoftuar burime të policisë turke. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia. Një ekip i përbashkët turko-saudit përfundoi një hetim të enjten, pasi kreu ekzaminime në rezidencën e konsullit dhe Konsullatën Saudite në Stamboll. Pjesë të trupit të pajetë të gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, janë gjetur këtë të martë në kopshtin e Konsullatës së Përgjithshme të sauditëve në Stamboll. Sipas raportimeve të fundit, që vijnë nga hetuesit turq që po hetojnë çështjen pasi siguruan të drejtën për të hyrë në mjediset e selisë diplomatike saudite, trupi i tij është prerë në copa dhe është varrosur pjesë. Thuhet gjithashtu se fytyra e tij është shpërfytyruar. Ky njoftim vjen vetëm pak orë pasi presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan kërkoi të dinte se “ku fshihej trupi” dhe se “cilët fshiheshin pas vrasjes” në një fjalim publik përpara anëtarëve të partisë së tij në pushtet. Gjithashtu, u publikuan më herët pamjet e kamerave të sigurisë, që tregonin se gazetari Khashoggi kishte hyrë në Konsullatë, ndërsa një tjetër person kishte dalë prej andej, me veshje të njëjtë me gazetarin, por me këpucë të ndryshme. "Vrasja e Khashoggi mund ta kufizojë fuqinë e Mohammed bin Salman dhe kjo do të kushtojë shumë për politikën e brendshme dhe të jashtme të Arabisë Saudite", tha Jasmin Faruk, një ekspert i Institutit Carnegy. Erdogan konfirmoi se 18 persona janë arrestuar në Arabinë Saudite në lidhje me çështjen dhe bëri thirrje që të dyshuarit për vrasje e tij të gjykohen në Stamboll, sepse vrasja mizore është kryer në Stamboll. Sidoqoftë, ajo që po ndodh në çështjen Khashoggi më shumë se një çështje politike dhe ligjore, është duke reflektuar rivalitetin e fshehtë të inteligjencës mes Turqisë dhe Arabisë, një luftë në të cilën Turqia ka përdorur mbikëqyrjen e saj mbi aktivitetet e konsullatës saudite për të fituar avantazh ndaj një rivali kokëfortë. Por duhet të shihet nëse a është e gatshme Turqia të sakrifikojë reputacionin dhe sigurinë e saj për manipulime të fshehta politike apo do të demaskojë regjimin e Arabisë Saudite në sytë e botës.