Fillon manovra më e madhe ushtarake e NATO-s
(last modified Thu, 25 Oct 2018 12:08:51 GMT )
Tetor 25, 2018 14:08 Europe/Tirane
  • Fillon manovra më e madhe ushtarake e NATO-s

Norvegjia do të jetë mikëpritësja e stërvitjeve më të mëdha të kryera të enjten nga NATO-ja prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke i rikujtuar Rusisë që aleanca mbetet e bashkuar pavarësisht dyshimeve që ka shpërfaqur në këtë aspekt presidenti amerikan, Donald Trump.

Më shumë se 50,000 ushtarë, 10,000 automjete, 65 anije dhe 250 aeroplanë nga 31 shtete do të jenë pjesë e stërvitjeve ushtarake të titulluara “Trident Juncture”, të cilat kanë për qëllim trajnimin e Aleancës për të mbrojtur vendet anëtare nga agresioni.

“Në vjetët e fundit, ambienti i sigurisë në Evropë është përkeqësur ndjeshëm”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Norvegji.

“Trident Juncture dërgon mesazh të qartë për kombet tona dhe për ndonjë armik potencial. NATO-ja nuk kërkon përballje mirëpo ne jemi të gatshëm për të mbrojtur të gjithë aleatët tanë kundër çdo kërcënimi”, ka thënë ai para gazetarëve të mërkurën.

Ndonëse “armiku potencial” nuk është identifikuar zyrtarisht, Rusia ka qenë në mendjen e secilit.

Ky shtet, që ndan një kufi prej 198 kilometrave me Norvegjinë në Veri, ka përmendur vazhdimisht në vjetët e fundit fuqinë e saj ushtarake.

Ushtria ruse ka aneksuar Krimenë, ka ndihmuar në destabilizimin e lindjes së Ukrainës, ka rritur kapacitetet ushtarake në Arktik dhe ka kryer stërvitjet ushtarake më të mëdha të realizuara ndonjëherë në muajin shtator.

Tags