Kërcënimi i paprecedent i Putinit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i82358-kërcënimi_i_paprecedent_i_putinit
Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi gjatë së mërkurës për një garë të re armatimesh, nëse Amerika tërhiqet nga traktati i armëve bërthamore, e shtoi madje se Rusia do të përgjigjet “në të njëjtën mënyrë” ndaj çdo rakete të re amerikane të vendosur në territorin e Europës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 25, 2018 15:33 Europe/Tirane
  • Kërcënimi i paprecedent i Putinit

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi gjatë së mërkurës për një garë të re armatimesh, nëse Amerika tërhiqet nga traktati i armëve bërthamore, e shtoi madje se Rusia do të përgjigjet “në të njëjtën mënyrë” ndaj çdo rakete të re amerikane të vendosur në territorin e Europës.

Duke folur pas takimit me këshilltarin e Trumpit për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, të cilin e priti gjatë së martës, Putin paralajmëroi se braktisja e traktatit dhe dështimi për të zgjatur një tjetër marrëveshje kyçe mbi kontrollin e armëve, të njohur si “New START” (Fillimi i ri), do të shkaktonte kështu një garë të re armatimesh dhe do ta vendoste Europën në rrezik. Putin tha se zhbërja e një sistemi global të kontrollit të armëve ishte “tejet i rrezikshëm”, duke shtuar se Rusia është e shqetësuar nga fakti që Shtetet e Bashkuara e kanë braktisur tashmë traktatin kundër raketave balistike, po mendojnë të tërhiqen nga “INF”-ja, ndërsa e ardhmja e “New START” mbetet e paqartë. “Nuk mbetet gjë tjetër veçse një garë e re armatimesh”, tha ai në një konferencë për shtyp pas diskutimeve me kryeministrin italian, Giuseppe Conte. Zemëratën me amerikanët, Putin e tregoi se do ta përcillte tek aleatet e tyre europiane, duke thënë se në rastin e tërheqjes se Uashingtonit nga traktati nuklear, këta të fundit rrezikohen nga një “kundërsulm i mundshëm rus”. Presidenti rus tha se, nëse Uashingtoni shkon drejt braktisjes së “INF”-së dhe transferon më shumë raketa në Europë, atëherë Rusia do të përgjigjej “në të njëjtën mënyrë”. Putin shtoi se çdo vend europian që do të pranojë të strehojë raketa amerikane do të vihet përballë rrezikut të një sulmi rus. “Këto janë gjëra të qarta”, tha udhëheqësi rus. “Do të ktheheshim edhe njëherë në situatë të ngjashme me raketat Pershing në Europë”, shtoi ai, duke iu referuar raketave amerikane të dislokuara në Europën Perëndimore në vitet ’80. “A do të mund të përgjigjemi ne? – pyeti ai. – Po, do të përgjigjemi dhe do të jetë diçka shumë e shpejtë dhe efektive”. Trump në anën tjetër ka thënë se do të largojë SHBA-në nga Traktati sepse Rusia e ka shkelur atë nga viti 2014 dhe sepse Kina nuk është e përfshirë në të, andaj ka zhvilluar armë, të cilat Uashingtoni dhe Moska e kanë pasur të pamundur për shkak të paktit. Putin ka thënë se dëshiron të diskutojë këtë çështje me Trumpin më 11 nëntor në Paris, pasi të dy liderët do të jenë pjesë e ceremonisë së shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. “Ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerët tanë amerikanë pa ndonjë histeri”, ka thënë ai. Pas kërcënimit të paprecedent të Putinit, reagoi menjëherë shefi i NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u përpoq të reduktojë frikën e një përplasjeje madhore me Rusinë. Anëtarët europianë të aleancës, ka deklaruar ai, nuk ka gjasa të dislokojnë armë të reja. “Ne nuk duam një lufte te re te ftohte. Nuk mendoj se aleatët do të zhvendosin armë bërthamore në Europë si përgjigje ndaj një rakete të re ruse”, theksoi Stoltenberg.