Obama akuzon Trump dhe republikanët për mashtrime
Ish presidenti amerikan Barack Obama, në një fjalim të tij për zgjedhjet afatmesme, ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump dhe republikanët duke i quajtur ata mashtrues.
Sipas agjencisë Associated Press, kjo është deklarata më e ashpër e bërë drejtpërdrejtë nga ish presidenti Barack Obama kundër Donald Trump. Obama mori pjesë në një fushatë elektorale në Michingan për të inkurajuar votuesit amerikanë të japin votën për kandidatët demokratë. Obama ka përmendur një premtim të presidentit Trump i cili ka thënë se do të miratojë një plan në Kongres për uljen e taksave përpara zgjedhjeve afatmesme. Ndërkohë sipas ish presidentit amerikan, Kongresi nuk do të ketë seanca përpara organizimit të zgjedhjeve. Ndër të tjera ish presidenti amerikan ka thënë se republikanët janë mashtrues pasi ata pretendojnë për mbrojtjen e popullit ndërkohë që bëjnë përpjekje për anulimin e ligjit për shërbimet shëndetësore dhe kurative me çmim të arsyeshëm. Ajo qe ne më përpara nuk e kishim vënë re janë politikanë që në formë të turpshme, të paskrupullt dhe në formë të përsëritur vetëm mashtrojnë. Zgjedhjet afatmesme për Kongres në Amerikë do të mbahen më 6 nëntor.