Shtohet presioni I Evropës ndaj Arabisë Saudite
(last modified Fri, 23 Nov 2018 10:43:51 GMT )
Nëntor 23, 2018 11:43 Europe/Tirane
  • Shtohet presioni I Evropës ndaj Arabisë Saudite

Vrasja e pamëshirshme e gazetarit Jamal Khashoggi ka çuar në shtimin e presionit të Evropës ndaj Arabisë Saudite.

Pas presioneve të shumta ndërkombëtare, qeveritë evropiane janë detyruar të ndërmarrin masa kundër Arabisë Saudite në reagim ndaj vrasjes së Jamal Khashoggi. Një prej këtyre masave është ndërprerja e shitjes dhe eksportit të armëve që prodhohen në Evropë për Arabinë Saudite. Ndërkohë princi i kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman mbërriti në Emiratet e Bashkuara Arabe të enjten duke filluar një turne në disa vende arabe, që është njëkohësisht udhëtimi i tij i parë jashtë vendit, që nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi që shkaktoi një protestë globale. Vrasja e Khashoggi, një kolumnist i Uashington Post dhe një kritik i princit të kurorës, në konsullatën e Rijadit në Stamboll para gjashtë javësh, ka tensionuar lidhjet e Arabisë Saudite me Perëndimin dhe ka prishur imazhin e princit Mohammed jashtë vendit. Mbreti Salman i kërkoi trashëgimtarit të tij të zgjedhur, të njohur në Perëndim si MbS, për të kryer turneun “bazuar në gatishmërinë e tij për të thelluar lidhjet e mbretërisë në rajon dhe ndërkombëtar”, njoftoi Agjencia Saudite e Shtypit. Princi Mohammed u prit me ardhjen e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe fqinjë nga Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed al-Nayhan, një aleat i afërt i MbS dhe Arabisë Saudite. “Ne jemi krenarë për lidhjet tona të rrënjosura thellë. Bashkëpunimi i ngushtë dhe një partneritet i frytshëm janë në ruajtje për vendet tona. Emiratet e Bashkuara Arabe do të jenë gjithmonë një shtëpi e dashur dhe mbështetëse për vëllezërit tanë në Arabinë Saudite”, tha Mohammed bin Zayed në një post në Twitter. Përkundër qëndrimit të evropianëve presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se CIA nuk ka dalë në përfundimin se ka qenë pikërisht princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, ai që ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i vrarë më 2 tetor në Konsullatën saudite në Stamboll. Zyrtarët e shërbimit sekret amerikan i thanë medies amerikane se, një operacion i tillë ka pasur nevojë aprovimi nga princi në fjalë, por Arabia Saudite vijon të këmbëngulë se ai ishte një “operacion i shkuar keq”. “Ata nuk kanë dalë në këtë përfundim”, tha Trump, kur u pyet mbi vlerësimin e raportuar të CIA-s nga reporterët e pranishëm në Florida. “Ata kanë shprehur thjesht bindjet e tyre. Unë e kam raportin, por nuk ka një konkluzion të qartë. Nuk e di nëse dikush do të mund t’i shkojë deri në fund e të dalë në përfundimin se princi i kurorës e ka bërë këtë gjë. Megjithatë, e ka bërë apo jo, kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është që ai e mohon me vendosmëri, sikurse edhe i ati, mbreti i Arabisë”, tha Trump. Komentet e tij të së enjtes vijnë në kohën kur princi saudit i kurorës nisi një tur rajonal në Lindjen e Mesme, duke nisur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i pari udhëtim i tij jashtë vendit që prej vrasjes së Khashoggit. Princi i kurorës pritet të marrë pjesë gjithashtu në një takim të udhëheqësve të vendeve të G20-s në Buenos Aires, në fund të këtij muaji, ku do të jenë padyshim edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe presidenti turk, sikurse edhe disa prej përfaqësuesve të vendeve europiane. Ndërkohë, Franca ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj 18 shtetasve sauditë, të njëjtët që u shënjestruan edhe nga sanksionet e SHBA, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, të cilët dyshohen si të lidhur me vrasjen e Khashoggit. Lista e këtyre individëve nuk e përfshin princin e kurorës, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze.

 


 

Tags