Përleshje të ashpra në Paris
https://parstoday.ir/sq/news/world-i83251-përleshje_të_ashpra_në_paris
Ai që nisi si tubim paqësor i dhjetëra mijëra njerëzve të mbledhur në Paris për të protestuar kundër rritjes së çmimit të naftës, ka degjeneruar shpejt në dhunë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 24, 2018 14:20 Europe/Tirane
  • Përleshje të ashpra në Paris

Ai që nisi si tubim paqësor i dhjetëra mijëra njerëzve të mbledhur në Paris për të protestuar kundër rritjes së çmimit të naftës, ka degjeneruar shpejt në dhunë.

Demonstruesit janë përleshur me policinë që u përgjigj me gaz lotsjellës e pompa uji. Përplasjet shpërthyen në Champs-Elysées, në kohën kur tubuesit tentuan të thyejnë kordonët e forcave të rendit, që rrethojnë zona kyçe në qendrën e qytetit. Turma kishte tentuar të mësynte disa institucione të rëndësishme, përfshirë rezidencën zyrtare të kryeministrit. 3 mijë policë janë mobilizuar për frenimin e turmës së përbërë nga dhjetëra mijëra “jelekë të verdhë”. Organizatorët thonë se protestat e fundit janë “faza e dytë” e fushatës së tyre mbarëkombëtare. Disa prej demonstruesve kanë shkulur gurët e kalldrëmit për të goditur forcat e rendit, e kanë lëshuar drejt tyre edhe fishekzjarre, ndërsa kërkonin me të madhe dorëheqjen e presidentit Emanuel Macron. Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner i akuzoi tubuesit se janë të influencuar nga liderja e partisë së ekstremit të djathtë Fronti Nacional, Marine le Pen. Por ajo iu përgjigj përmes Twitterit, duke e akuzuar për pandershmëri. Sipas raporteve, në kryeqytetin francez mund të jenë mbledhur 30.000 vetë.