Protestat rrezikojnë seriozisht pozitën e Macron
https://parstoday.ir/sq/news/world-i83316-protestat_rrezikojnë_seriozisht_pozitën_e_macron
Në fund të vitit 2017, qeveria franceze miratoi vendimin për të rritur tatimin e drejtpërdrejtë për naftën, e cila është lloji më i popullarizuar i karburantit në Francë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 25, 2018 14:14 Europe/Tirane
  • Protestat rrezikojnë seriozisht pozitën e Macron

Në fund të vitit 2017, qeveria franceze miratoi vendimin për të rritur tatimin e drejtpërdrejtë për naftën, e cila është lloji më i popullarizuar i karburantit në Francë.

Çmimet e naftës në Francë janë rritur me rreth 23 për qind që nga fillimi i vitit, ndërsa çmimet e benzinës janë rritur me 15 për qind. Çmimet janë vendosur të rriten më tej në janar 2019. Në veçanti, duke filluar nga 1 janari, çmimi i benzinës parashikohet të rritet me 2.9 eurocent për litër, ndërsa çmimi i naftës me 6.5 eurocent për litër. Si rrjedhim, ka një javë që aktivistët e "jelekëve të verdhë“ bllokojnë rrugët në Francë. Në protestat kundër çmimeve të benzinës ka pasur përleshje me policinë. Apeli në rrjetet sociale nxori në rrugë qindra francezë. Sipas të dhënave të qeverisë, rreth 8000 vetë ishin mbledhur të veshur me jelekë të verdhë në Paris për të demonstruar kundër çmimeve të larta të benzinës, kostos së jetesës dhe një takse ekologjike për naftën, që planifikon presidenti, Emmanuel Macron. Më shumë se 100 mijë njerëz morën pjesë në rreth 1.600 tubime anembanë Francës gjatë së shtunës, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme. Shumica e tyre kaluan paqësisht, me përjashtim të kryeqytetit, ku u mblodhën rreth 8.000 demonstrues. Në Paris ishin dislokuar 5.000 policë, të cilët kishin ngritur barriera metalike përreth “Champs-Elysees”, për të penguar protestuesit të arrinin në ndërtesat kryesore si zyra e presidentit apo Asambleja Kombëtare. Megjithatë, disa protestues u përpoqën të çanin kordonin e policisë, duke ndezur zjarre, shkatërruar sinjalistikën rrugore, duke shkulur barrikadat dhe gurët nga rrugët, për t’iua hedhur ato policëve, nën thirrjet e theksuara kundër Macronit. Zyrtarët thonë se 19 persona mbetën të plagosur nga përplasjet deri pasdite vonë, përfshi këtu 4 oficerë, ndërkohë që 40 njerëz janë arrestuar.Presidenti francez Emmanuel Macron ka sulmuar demonstruesit që u përleshën me policinë në Paris gjatë protestave të fundit të nxitura nga rritja e çmimit të karburantit. "Turp për ata që sulmuan oficerët,"-tha ai në Twitter. "Nuk ka vend për dhunë në Republikën Franceze." Kaosi shpërtheu të shtunën (24 nëntor) në Pallatin Elysee, pasi policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Protesta filloi fundjavën e kaluar kundër rritjes së çmimit të naftës. Më pas protestat u rritën për të pasqyruar zemërimin për rritjen e kostos së jetesës, veçanërisht në zonat rurale, dhe ankesave të tjera kundër politikave të Presidentit Macron. Në Paris janë vendosur disa zona të bllokuara, ku nuk lejohen protestat. Ndër to edhe Place de la Concorde dhe Champs-Élysées dhe hapësira përreth pallatit Élysée. Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner akuzoi të djathtën ekstreme, se i nxit qëllimisht protestat. Ndërsa Marine Le Pen, kryetarja e partisë ekstreme të djathtë të "Front National" akuzoi qeverinë, se kërkon të influencojë në mënyrë të padrejtë protestat. Në vendin e rezervuar nga qeveria, Champ de Mars protestat do të dukeshin më të vogla, kritikoi Le Pen. Ministri francez i Mbrojtjes akuzon protestuesit se janë të ndikuar nga udhëheqësja e së djathtës ekstreme Marine le Len. Kryetari i senatit francez Gérard Larcher tha në një mesazh në Twitter se qeveria franceze duhet të adresojë menjëherë nevojat e protestuesve për politikat ekonomike në mënyrë që vendi të dalë nga kriza. Partia Republikane gjithashtu i ka bërë thirrje qeverisë franceze që të dëgjojë protestuesit sa nuk është bërë shumë vonë. Jean-Luc Mélenchon, kryetar i partisë "Franca e pabindur", deklaroi: "Është tepër vonë për të dëgjuar zërin e protestuesve, sepse njerëzit janë të dërrmuar nën presionin ekonomik".