Seminari i tretë i bashkëpunimit bërthamor mes Iranit dhe BE
Irani dhe Bashkimi Evropian sot do të mbajnë seminarin e tretë mbi bashkëpunimin paqësor bërthamor dhe raundin e katërt të bisedimeve politike të nivelit të lartë në Bruksel, tha zëvendësministri i jashtëm iranian, Abas Eragçi.
Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, Eragçi shtoi se dy "ngjarje të rëndësishme" në marrëdhëniet midis Iranit dhe BE do të ndodhin në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksionet më të ashpra kundër Teheranit. Ai vuri në dukje se Shefi i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Ali Akbar Salehi do të marrë pjesë në seminarin e tretë mbi bashkëpunimin paqësor bërthamor në kryeqytetin belg. Diplomati i lartë iranian tha se raundi i katërt i bisedimeve politike të nivelit të lartë mes Iranit dhe BE-së do të kryesohej nga ai dhe nga zv/shefja e Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Helga Schmid. Dy eventet do të zhvillohen për herë të parë që kur Presidenti i SHBA, Donald Trump, tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe vendosi të ri-imponojë sanksionet e njëanshme kundër Teheranit.