Qindra të plagosur e të arrestuar, qeveria franceze gati për bisedime
Policia e Parisit njoftoi për 412 të arrestuar gjatë së shtunës, gjatë përplasjeve më të dhunshme ndër vite në kryeqytetin francez, ndërsa 378 prej tyre mbeten ende në paraburgim.
Sipas shefit të policisë së Parisit, Michel Delpuech, dhuna e paparë ndër dekada ka shkaktuar plagosjen e 263 njerëzve, përfshi 133 në kryeqytet, 23 prej të cilëve pjesëtarë të forcave të sigurisë. Kryeministri francez, Edouard Philippe zhvillon bisedime me krerët e partisë këtë të hënë, teksa Parisi duket në vështirësi për të dhënë një përgjigje ndaj dhunës së ushtruar prej protestuesve antiqeveritarë, që shkaktoi qindra të plagosur në mbarë vendin dhe shkatërrim masiv përreth kryeqytetit francez. Bisedimet vijnë pas një takimi mbi krizën të kryesuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, ditën e dielë, kur vëzhgoi shkatërrimin e lënë pas, në fundin e një dite trazirash të dhunshme anembanë Parisit, që përjetoi dhunën “e një niveli të paparë në dekada të tëra”. Ministri i Mjedisit, Francos de Rugy u takua me përfaqësues të të ashtuquajturve “jelekët e verdhë” gjatë javës së kaluar, por dështoi t’i bindte ata t’u jepnin fund demonstratave që po zhvillohen prej afro dy javësh tashmë. Qeveria franceze nuk e ka përjashtuar vendosjen e gjendjes së emergjencës për të shuar protestat, që nisën për shkak të rritjes së taksave të naftës, por që shumë shpejt u transformuan në një front më të gjerë kundër Macronit. Nëdrsa mediat në Francë sot janë hapur me artikujt kryesorë që i referohen protestave të dhunshme në Paris dhe kritikave të shumta ndaj presidentit Macron. "Franca në shok"! Me këtë titull hapet gazeta e madhe franceze "Le Figaro", e cila shkruan se "Presidenti i Republikës duhet të gjejë një rrugëdalje nga konflikti që vazhdon gjithmonë". "Emmanuel Macron duhet të gjejë fjalët dhe përgjigjet konkrete që mund të qetësojnë vendin," shkruan 'Le Parisien'.