Kaosi në Francë rrezikon vendet e tjera të Evropës
Policia franceze ka hedhur gaz lotsjellës ndaj turmave masive të protestuesve që pushtuan të shtunën zemrën e Parisit.
Një total prej 118 personash dhe 17 policësh të lënduar është bilanci i protestave të “Jelekëve të Verdhë” anembanë Francës. Numri është konfirmuar nga ministri francez i Punëve të Brendshme, Christophe Castaner, i cili në një konferencë për media tha se në protestat mbarëkombëtare kanë marrë pjesë rreth 125 mijë njerëz dhe se policia ka arrestuar 974 persona. Kulla Eifel, dyqanet, restorantet dhe muzetë vijojnë të qëndrojnë të mbyllura. Kryeministri francez, Édouard Philippe është zotuar se do "rivendosë unitetin kombëtar" pas protestave të dhunshme të së shtunës (8 dhjetor). Kjo është fundjava e katërt radhazi që 'jelekverdhët' pushtojnë rrugët e Francës, duke protestuar kundër rritjes së taksave të karburantit dhe kostove të larta të jetesës. Ndërsa Philippe tha se duhet të vazhdojnë diskutimet me protestuesit paqësorë. "Asnjë taksë nuk duhet të rrezikojë unitetin tonë kombëtar. Tani duhet ta rindërtojmë atë unitet nëpërmjet dialogut, nëpërmjet punës dhe duke u bashkuar,"-u shpreh ai. Ai shtoi se presidenti Emmanuel Macron, së shpejti do të paraqesë masa për të nxitur këtë dialog. Ndërsa Ministri i Financave, Bruno Le Maire e quajti situatën si “krizë” edhe për shoqërinë, por edhe për demokracinë. “Është një katastrofë për tregtinë, një katastrofë për ekonominë tonë”, tha ai, teksa po vizitonte dyqanet e dëmtuara gjatë protestave në Paris. Lëvizja nisi tre javë më parë si formë revolte ndaj planeve të qeverise për rritjen e mëtejshme të çmimit të karburantit, por tani kërkesat e tyre janë shtuar duke përfshirë standarde më të mira jetese, rritje rrogash e pensionesh. Që nga fillimi i trazirave në nëntor, si reagim ndaj rritjes së taksës së karburantit, katër njerëz kanë humbur jetën. Protesta të ngjashme, që duket se janë frymëzuar nga lëvizja ‘jelekët e verdhë’, u zhvilluan të dielën edhe në Belgjikë dhe Holandë. Qindra protestues u përleshën me policinë gjatë një përpjekje për të hyrë në ndërtesën e Parlamentit Evropian në Bruksel. Protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit të Belgjikës, Charles Michel. Zonat ku gjenden godinat e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian u rrethuan nga një prani e shtuar policore, ndërsa pamjet filmike që përfunduan në rrjetet sociale treguan se protestuesit u përleshën me policinë jashtë PE-së. Policia kishte vendosur barrikada në të gjitha institucionet evropiane të rëndësisë kyçe, ndërsa u ndalua si masë paraprake edhe kalimi i këmbësorëve apo i automjeteve. Policia e Brukselit njoftoi se demonstruesit ishin mbledhur në dy zona kryesore të kryeqytetit belg, “Arts Lois” dhe “Porte de Namur”. Zëdhënësja e policisë tha se “të paktën 70 persona ishin arrestuar pas kontrolleve të ushtruara për të parandaluar dhunën”. Një agjenci belge lajmesh, raportoi gjithashtu se protestues të rinj bllokuan një autostradë që lidhte Brukselin me Rekkemin në Flanders, rajoni që ndodhet pranë kufirit me Francën. Lëvizja në Belgjikë, e frymëzuar nga protestat në Francë përgjatë muajit të kaluar, shprehu ankesat e protestuesve mbi kostot e jetesës, që kërkuan gjithashtu largimin e koalicionit qeveritar të qendrës së djathtë në Belgjikë, vetëm 6 muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve kombëtare në muajin maj.