Konferenca mbi klimën në Poloni, s’ka marrëveshje
https://parstoday.ir/sq/news/world-i83737-konferenca_mbi_klimën_në_poloni_s’ka_marrëveshje
Përpjekjet për të përfshirë një studim shkencor të rëndësishëm, në bisedimet mbi klimën në Poloni kanë dështuar.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 09, 2018 16:06 Europe/Tirane
  • Konferenca mbi klimën në Poloni, s’ka marrëveshje

Përpjekjet për të përfshirë një studim shkencor të rëndësishëm, në bisedimet mbi klimën në Poloni kanë dështuar.

Raporti i panelit ndërkombëtar “IPCC”, mbi pasojat e një rritjeje prej 1.5 gradësh të temperaturave, pati një impakt domethënës kur u lançua në tetor. Shkencëtarët dhe shumë delegatë në Poloni mbetën të tronditur kur Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite, Rusia dhe Kuvajti kundërshtuan të mirëprisnin raportin, që ishte porositur nga Konferenca mbi klimën e vitit 2015. Sipas raportit, bota është tani tërësisht jashtë binarëve dhe rrezikon që brenda këtij shekulli temperaturat të rriten me 3 gradë Celsius, duke lënë pas objektivin prej 1.5 gradë Celsius. Ruajtja e këtij objektivi do të kërkonte ndryshime radikale, të shpejta dhe afatgjata, në të gjitha aspektet e shoqërisë. Nëse ngrohja do të mbahet në kufirin e 1.5 gradëve Celsius këtë shekull, atëherë emetimet e dioksidit të karbonit duhet të reduktohen me 45 për qind deri në vitin 2030. Raporti i lançuar në Korenë e Jugut pati pasoja të menjëhershme dhe u lëvdua nga politikanët në të gjithë botën. Por, negociatorët në Poloni u përballën me një mur të pakalueshëm, kur Arabia Saudite, SHBA, Rusia dhe Kuvajti e kundërshtuan atë. E pa konsensus, sipas rregullave të Kombeve të Bashkuara, pjesa e tekstit është rrëzuar. Shumë delegatë shpresojnë tani që ministrat, të cilët do të mblidhen të hënën, do të përpiqen ta rikthejnë këtë raport të rëndësishëm në qendër të konferencës.