Presidenti francez tërhiqet dhe jep favore kundrejt jelekverdhëve
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, iu drejtua popullit francez mbrëmjen e sotme pas protestave masive të realizuara gjatë katër javëve të fundit.
Në fjalimin 13 minutash, Macron bëri me dijet katër vendimet e tij më të rëndësishme:
1. Rritjen e pagës minimale me 100 euro (e pa taksuar)
2. Çdo orë pune shtesë e pataksuar
3. Heqja e taksës për pensionistët
4. Inkurajimi i bizneseve për të dhënë shpërblime për fundvitin (pa taksuar)
Kreu i Elizes tha se nuk mund të rriste taksën ndaj të pasurve sepse do të nxiste evazion fiskal dhe largimin e bizneseve nga Franca. Protestat në Francë të të ashtuquajturve "Jelekët e verdhë" shpërthyen kundër rritjes së taksave të karburantit, me synim uljen e ndotjes në vend si dhe inkurajimin e përdorimit të makinave elektrike. Të hënën në mëngjes, ndërsa Macron u takua me sindikatat dhe krerët e biznesit, në protestë u hodhën edhe studentët dhe nxënësit. Mësimi është ndërprerë në 120 shkolla në të gjithë vendin - përfshirë 40 shkolla të bllokuara plotësisht nga studentët - tha një zëdhënëse për Ministrinë e Arsimit. Javën e kaluar qeveria franceze u tërhoq nga rritja e tatimit për karburantin, por jelekëverdhët nuk i ndalën protestat e dhunshme. Dëmi ekonomik, sipas ministrit të Brendshëm Bruno Le Mer, është katastrofik dhe do të ketë ndikim negativ afatgjatë në buxhet dhe turizëm.