Kryeministri francez: Kam gabuar që nuk kam dëgjuar popullin
Eduard Filipe, kryeministër i Francës deklaroi se ka gabuar që nuk ka dëgjuar fjalët e popullit.
Në një intervistë për gazetën Le Figaro, kryeministri francez tha se qeveria ka gabuar që nuk ka dëgjuar siç duhet zërin e popullit. Ai shtoi se po diskutohet mundësia e organizimit të referendumit për të ndihmuar politikat e qeverisë. Kryeministri francez tha se kjo metodë është demokratike dhe një prej kërkesave të protestuesve. Protestuesit me jelekë të verdhë po bllokojnë dhjetëra pika të trafikut në Francë, edhe pse lëvizja e reformës ekonomike duket se e ka humbur vrullin në fundjavën e pestë të demonstratave. Disa francezë vazhduan të dielën të protestojnë pavarësisht një thirrje nga ministri i brendshëm Christophe Castaner për të liruar rrugët. Tetë persona kanë humbur jetën në incidente të lidhura me lëvizjen e jelekëverdhëve, kryesisht nga aksidentet e trafikut në rrugët e bllokuara nga protestuesit. Të shtunën, protestuesit dolën në rrugë në qytete anembanë Francës, duke përfshirë edhe Parisin, por në numër shumë më të vogël se fundjavat e mëparshme. Protestat filluan në nëntor kundrejt rritjes së taksave të karburantit, por janë shndërruar në një shprehje të përgjithshme të zemërimit në qeverinë e Presidentit Emanuel Macron.