Policia u bashkohet jelekverdhëve në Francë
Policia franceze ka deklaruar se për shkak të politikave të padrejta të qeverisë, ajo mbyll të gjitha qendrat policore në vend.
Sindikata e policisë në Francë me anë të një deklarate njoftoi se qeveria nuk ka paguar 32 milion orë shtesë për punonjësit e policisë. Në të tilla kushte policia nuk mund të zbatojë përgjegjësinë e saj për tu përballur me sulmet terrorsite dhe aktet destruktive në festat e fund vitit. Ndërkohë kryeministri i Francës ka deklaruar se do të futet në bisedime me sindikatën e policisë për zgjidhjen e problemit sidomos në kushtet kur Franca përballet me protestat e jelekverdhëve. Kryeministri francez, Edouard Philippe pranoi se qeveria ka bërë gabime gjatë protestave masive të 'jelekverdhëve', që kanë kapluar vendin për pesë javët e fundit. "Ne bëmë gabime. Nuk e dëgjuam mjaftueshëm popullin francez. Jam i bindur se ata duan që ky vend të transformohet,"-tha ai. Dhuna në demonstrata ka arritur nivel rekord me qindra protestues të plagosur që nga 17 nëntori. Gjatë protestave vdiqën të paktën 7 persona. Punonjësit e policisë kanë pësuar gjithashtu lëndime. Qytetet franceze u mbërthyen nga kaosi, me protestuesit që shkatërronin dritaret e dyqaneve, përmbysnin makinat etj. Qendrat e qyteteve u mbuluan nga gazi lotsjellës, granatat e tymit dhe fishekzjarret. Ministri i Financave, Bruno Le Maire pranoi se protestat ishin një "katastrofë" për ekonominë dhe bizneset e vendit.