Papa Françesku bën thirrje për paqe në Jemen e Siri
Papa Françesku në mesazhin e tij të pestë të Krishtlindjes ka bërë thirrje për paqe në zonat e konfliktit përfshirë Jemenin dhe Sirinë.
Të dyja vendet që janë goditur nga lufta dhe agresionet prej vitesh, po vuajnë nga krizat e rënda humanitare. “Dëshira ime për Krishtlindje të lumtur është dëshirë për vëllazëri dhe miqësi në mes individëve të çdo kombi dhe të çdo kulture”, tha Papa Françesku. “Mendimet e mia janë me Jemenin, me shpresën se armëpushimi i ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare mund të sjellë lehtësim për të gjithë ata fëmijë dhe njerëz të lodhur nga lufta dhe uria”, tha ai nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit. Papa shtoi se shpresonte që bashkësia ndërkombëtare do të “punonte me vendosmëri për një zgjidhje politike” në Siri, vend ky që po i afrohet vitit të tetë të luftës civile. “Kështu që populli sirian, veçanërisht të gjithë ata që u detyruan të largoheshin nga tokat e tyre dhe të kërkonin strehim diku tjetër, mund të kthehen për të jetuar në paqe në vendin e tyre”, shtoi ai.