Presidenca e BE nga Rumania
Nga sot më 1 Janar të vitit 2019, Rumania mori presidencën e radhës në BE. Me gjithë jokompetencën e provuar të disa ministrave, qeveria e Bukureshtit nuk mund të shkaktojë dëme të mëdha, mendon Robert Schwartz
Më ndërrimin e viteve, qeveria e mençur rumune nën udhëheqjen e socialdemokratëve të PSD-së, e me gjoks të fryrë nga krenaria do të pushtojë Brukselin dhe Strasburgun... Në këtë formë, ose pak më ndryshe mund të shkruhen kryetitujt e gazetave në ditët e ardhshme në mediat e ndikuara prej PSD-së në Bukuresht. Kështu disa ministra nën drejtimin e kryeministres, Viorica Dancila shpresojnë se mund të hyjnë edhe në librat e historisë. Me tone nacional-populiste dhe kritike ndaj BE, e urta Viorica Dancila ka zbatuar pa iu dridhur syri urdhrat e atij që tërheq fijet në prapaskenë, të kreut të partisë të dënuar, Liviu Dragnea nga PSD. Ajo dhe shpura e saj do t'ia tregojnë vendin europianëve të tjerë pa moral dhe hundëpërpjetë, do t'u tregojnë se si bëhet politikë në Rumani dhe për Rumaninë, për këtë janë të bindur përkrahësit. Në Bruksel, thuhet se ajo mirëpritet. Qeveria në Bukuresht është shumë e zënë me veten, për të thyer porcelanët e kushtueshëm të BE. E lëre më të arrijë të ngrejë më këmbë diçka konstruktive...Para krizës së vazhdueshme alla rumunçe, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Junkcer mund të fillojë të paketojë, e në këtë kohë të shijojë edhe një samit "historik" në Siebenbürgenin piktoresk.