Jelekverdhët i drejtohen Macronit: Mos i shiko njerëzit si lypës!
https://parstoday.ir/sq/news/world-i84538-jelekverdhët_i_drejtohen_macronit_mos_i_shiko_njerëzit_si_lypës!
Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kritikuar protestuesit "jelekverdhë" si agjitatorë, duke thënë se ata kanë për qëllim të rrëzojnë qeverinë e tij.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 05, 2019 16:39 Europe/Tirane
  • Jelekverdhët i drejtohen Macronit: Mos i shiko njerëzit si lypës!

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kritikuar protestuesit "jelekverdhë" si agjitatorë, duke thënë se ata kanë për qëllim të rrëzojnë qeverinë e tij.

Në takimin e parë të kabinetit të tij të premten, Macron tha se rendi dhe ligji duhet të rikthehen në vend, sipas zëdhënësit të qeverisë Benjamin Griveaux. Ai u bëri thirrje ministrave të tij të jenë më radikalë në përpjekjet e tyre për të reformuar vendin. "Që nga njoftimet e reja qeveritare, lëvizja e jelekverdhëve, për ata që vazhdojnë të protestojnë, është bërë mjeti i agjitatorëve që nxisin kryengritjen për të rrëzuar qeverinë", shtoi Macron. "Ndoshta kemi bërë shumë koncesione për konservatorizëm, por ne do të duhet ta ndryshojmë këtë," tha ai. Macron urdhëroi autoritetet të organizonin një "debat kombëtar" në javët e ardhshme në të gjitha rajonet, që njerëzit të shprehin pikëpamjet e tyre, në vend që të dalin në rrugë. Macron e ka ashpërsuar qëndrimin e tij derisa, ai tashmë kishte pranuar se zemërimi i protestuesve ishte "i thellë dhe në shumë mënyra i ligjshëm" dhe premtoi një rritje minimale të pagave dhe koncesione tatimore. Ai ka prezantuar edhe një paketë lëshimesh të jashtëzakonshme muajin e kaluar për të ulur intensitetin e protestave anti-qeveritare, të cilat fillimisht shpërthyen muajin e kaluar në Francën rurale midis qytetarëve të cilët thanë se nuk mund të përballonin taksat më të larta të karburantit. Paketa, e cila bëri thirrje për heqjen e një rritje tatimore të planifikuar për shumicën e pensionistëve dhe heqjen e taksave të pagës jashtë orarit për të gjithë punëtorët, u miratua gjithashtu nga Asambleja Kombëtare. Koncesionet e pakos së presidentit, megjithatë, nuk i kënaqën disa nga protestuesit, të cilët besonin se "kjo paketë nuk i trajton problemet themelore". Një grup protestuesish dërguan një letër në mediat sociale, duke paralajmëruar presidentin kundër trajtimit të njerëzve si lypës. "Zemërimi do të kthehet në urrejtje nëse vazhdoni, nga piedestali juaj, ju dhe bashkëpunëtorët tuaj, t'i shikoni njerëzit si lypës", thuhet në letrën e protestuesve. Grupi madje ka hedhur poshtë ftesën e presidentit për të marrë pjesë në debatin kombëtar. Ata e përshkruan debatin si një "kurth politik" i projektuar për të mbyllur çështjen që "tmerron" kaq shumë kreun e shtetit. Ndërkohë, protestuesit "jelekverdhë" dolën përsëri në rrugë të shtunën, pasi një zëdhënës i qeverisë i cilësoi ata që ende protestonin si përkrahës të linjës së ashpër që donin vetëm të rrëzonin qeverinë.