Moska reagon ndaj kërcënimeve të shefit të NATO-s
Deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se aleanca e NATO-s ishte gati për një skenar ushtarak për të zgjidhur problemin e shkeljeve të pretenduara të Traktatit të Forcave Bërthamore (INF), pengojnë dialogun konstruktiv, theksoi të premten Ministria e Jashtme ruse.
"Moska është befasuar nga fjalët e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s J. Stoltenberg në një intervistë me Agjencinë norvegjeze të lajmeve ku deklaroi se NATO ishte gati për masa ushtarake për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth Traktatit të Forcave Bërthamore ", tha ministria në një deklaratë. "Përpjekjet për të zhvilluar dialog në formën e ultimatumeve, duke kujtuar " shansin e fundit "të Rusisë, siç thotë Stoltenberg, janë kundër deklaratave se ruajtja e traktatit është përparësia e aleancës perëndimore. Përkundrazi, deklarata të tilla pengojnë adresimin e situatës nëpërmjet dialogut profesional" shtoi Ministria e Jashtme e Rusisë. Stoltenberg i ka thënë agjencisë norvegjeze të lajmeve se NATO ishte e gatshme të përdorte forcën nëse Rusia e humbet afatin e 2 shkurtit për të korrigjuar shkeljet e supozuara të traktatit INF. Më parë gjatë muajit, në një intervistë me agjencinë DPA të Gjermanisë, Stoltenberg tha se Rusia kishte shansin e fundit të përmbushjes së Traktatit INF. Presidenti i SHBA, Donald Trump tha në tetor se donte ta largonte Amerikën nga marrëveshja, por u bind nga aleatët evropianë në dhjetor për t'i dhënë Rusisë një periudhë kohore prej 60 ditësh deri në mes të shkurtit për t'u pajtuar me rregullat e traktatit INF . Rusia i ka hedhur poshtë akuzat. Ajo është ankuar për armët amerikane në Evropë që mund të lëshojnë raketat cruise në distanca që janë në shkelje të INF. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Traktati INF, Uashingtoni mund të vendosë raketat e tij në Evropë. "Vendosja e këtyre raketave atje dhe potenciali i përdorimit të tyre për të sulmuar Federatën Ruse do të çonte në një situatë ku Rusia me arsenalin e saj raketor do të detyrohet të sulmojë bazat nga ku lëshohen këto raketa në mënyrë që të krijojë balancë ", tha ai.