Fillon Forumi Ekonomik Botëror në Davos
Me pjesëmarrjen e liderëve politikë dhe atyre më me ndikim botëror, në Davos të Zvicrës ka filluar Forumi i 49-të Ekonomik Botëror, raporton Anadolu Agency.
Samiti i këtij viti i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku marrin pjesë liderët më me ndikim politik dhe në botën e biznesit, do të fillojë me temën kryesore "Globalizimi 4: Formësimi i Strukturës Globale në Epokën e Revolucionit të Katërt Industrial". Samiti këtë vit mbahet për të 49-tën herë, me pjesëmarrjen e më shumë se 3.000 biznesmenëve, politikanëve, akademikëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile nga 110 vende. Politikanët dhe udhëheqësit e botës së biznesit që marrin pjesë në Samitin e Davosit do të diskutojnë një globalizëm më gjithëpërfshirës. Temat kryesore të samitit përfshijnë globalizimin, shëndetin mendor, ndryshimet klimatike, ngadalësimin e rritjes në Kinë dhe ekonominë globale, luftërat tregtare, krizën e Jemenit dhe Sirisë, rritjen e populizmit, problemin e emigracionit, luftën kundër varfërisë dhe tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian (Brexit), zhvillimet në teknologji, transformimin e shpejtë të mjekësisë në shoqëri, robotikën, inteligjencën artificiale dhe digjitalizimin. Në takime do të diskutohet edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në mënyrë që globalizimi të jetë gjithëpërfshirës.