Kongresi amerikan miraton ligjin që ndalon daljen nga NATO
(last modified Wed, 23 Jan 2019 18:34:00 GMT )
Janar 23, 2019 19:34 Europe/Tirane
  • Kongresi amerikan miraton ligjin që ndalon daljen nga NATO

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara e ka miratuar me shumicë dërrmuese të votave një ligj që konfirmon mbështetjen e Kongresit për NATO-n.

Votimi u bë pas shqetësimeve në rritje lidhur me angazhimin e presidentit Donald Trump, në aleancën 29 anëtarëshe. Ligji që u miratua me 357 vota për dhe 22 kundër, pohon se është politikë e SHBA-së të mbetet pjesë e aleancës ndërkaq ndalon përdorimin e fondeve për t’u tërhequr nga Aleanca Veriatlantike. Përveç konfirmimit të kontrollit të Kongresit mbi paratë, ligji rikonfirmon mbështetjen e SHBA-së ndaj NATO-s dhe klauzolën e saj të mbrojtjes së ndërsjellë. Ligji shpreh gjithashtu mbështetje për Malin e Zi, si anëtarin më të ri të NATO-s, për financimin e “fuqishëm” të SHBA-së për Iniciativën Evropiane për fuqizimin e mbrojtjes, si dhe afirmon qëllimin që secili anëtar i Aleancës të shpenzojë së paku 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në mbrojtje deri në vitin 2024. Vetëm disa orë para votimit, ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, diplomati i lartë i SHBA-së në Evropë dhe një përkrahës i hapur i NATO-s, paraqiti dorëheqjen e tij në një periudhë të lidhjeve të tensionuara në marrëdhëniet transatlantike. Gazeta “New York Times” duke cituar burime të qeverisë federale, kohë më parë raportoi se presidenti amerikan Trump, vitin e kaluar, ka paraqitur idenë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga NATO-ja, një veprim ky që do të shkatërronte në mënyrë efektive Aleancën e cila shënon 70 vjetorin e themelimit të saj në prill të këtij viti.

 

Tags