Pakti i rëndësishëm Francë-Gjermani
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel negociuan vitin e kaluar një marrëveshje të re të miqësisë.
Të martën në qytetin gjerman të Ahenit kjo miqësi u thellua me nënshkrimin e marrëveshjes së re 16 faqëshe. Pala franceze gjithmonë kishte propozuar rifreskimin e marrëveshjes. Nuk bëhet fjalë që ajo të ndryshohet, por të dërgohet një sinjal politik: Berlini dhe Parisi duan të ndërmarrin një etapë rë re të bashkëpunimit gjermano-francez dhe me këtë edhe një reformë të Bashkimit Europian. Bashkëpunimi shihet edhe si shpallje e luftë kundër populizmit dhe nacionalizmit në rritje në Europë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel foli për rritjen e nacionalizmit në Evropë si dhe bëri thirrje për ringjalljen e bashkëpunimit ndërkufitar, pasi ajo dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron nënshkruan një marrëveshje të re për bashkëpunimin franko-gjerman, e cila e ripërtërin miqësinë disa dekadëshe të të dyja vendeve. "Populizmi dhe nacionalizmi po rriten në të gjitha vendet tona", tha Merkel për zyrtarët francezë, gjermanë dhe evropianë të mbledhur në këtë ceremoni. Duke folur për largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian dhe tendencën në rritje të proteksionizmit në botë, Merkel tha se bashkëpunimi ndërkombëtar po kalon një periudhë të vështirë. Ndërkaq, presidenti francez, Emmanuel Macron, vuri në dukje "zemërimin në rritje" brenda shoqërive evropiane" dhe “presionin nga jashtë". Marrëveshja parasheh harmonizimin e politikave ekonomike, të jashtme dhe të mbrojtjes të Berlinit dhe Parisit, si dhe një asamble të përbashkët parlamentare të përbërë nga 100 deputetë francezë dhe gjermanë. Marrëveshja e re përmban zgjerimin e programeve të shkëmbimit për qytetarët, thellim të bashkëpunimit për Europën, politikën e jashtme dhe të sigurisë, një integrim më të madh ekonomik dhe koordinim më të mirë në politikën e klimës dhe mjedisit. Çështja e refugjatëve nuk përmendet, në këtë kontekst të dy krerët e shteteve mbeten brenda kuadrit të marrëveshjes origjinale. Marrëveshja e re vendos fokusin tek bashkëpunimi në çështjet e mbrojtjes dhe lufta kundër terrorizmit. Gjermania dhe Franca sigurojnë njëra-tjetrën se në "rast të një sulmi të armatosur" të njërit prej vendeve, ai do të ndihmohet me mjete ushtarake. Lidhur me eksportet e armëve të dyja palët do të zhvillojnë rregulla të përbashkëta. Që nga viti 1989 ekziston një brigadë e përbashkët ushtarake gjermano-franceze. Por për shkak se me francezët e gatshëm për investime dhe me gjermanët e rezervuar përplasen dy filozofi të ndryshme, është e vështirë të kalohet nga vizionet në projekte konkrete.