Putin mirëpret largimin e forcave amerikane nga Siria
Në një takim me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ka mirëpritur largimin e forcave amerikane nga Siria.
Takimi është përqendruar në krijimin e një zone sigurie në Siri. Rusia dhe Turqia kanë rënë dakord për të koordinuar operacionet në terren, në Siri, pas njoftimit befasues të presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë muajit të kaluar për tërheqjen e rreth 2.000 trupave amerikanë nga Siria. Rusia dhe Turqia mirëpritën tërheqjen e planifikuar të Uashingtonit nga Siria, por e ardhmja e milicive kurde të mbështetura nga SHBA, të konsideruar si terroristë nga Ankaraja, ka tensionuar disi marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s. Erdogan tha të hënën se do të diskutonte me Putinin krijimin e “zonës së sigurisë” të kontrolluar nga Turqia në Sirinë veriore, siç kishte sugjeruar presidenti Trump. Kurdët, aleatët më të efektshëm të Amerikës në luftën kundër militantëve të ISIS, të cilët kontrollojnë njëherazi pjesën më të madhe të veriut të Sirisë, e kanë refuzuar këtë ide, me frikën e një ofensive turke në territorin e kontrolluar prej tyre. Moska, mbështetëse prej kohësh e Asadit, pritet ta kundërshtojë planin, me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që tha javën e kaluar se Damasku duhet të marrë kontrollin e veriut të vendit.