Maduro kundërshton ultimatumin e Europës
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka hedhur poshtë një ultimatum të bërë nga një numër vendesh evropiane që bëjnë thirrje për zgjedhje të reja në shtetin e Amerikës Latine brenda tetë ditëve, në mes të një krize të thellë politike në Venezuelë.
Në një intervistë me CNN Turk transmetuar të dielën, presidenti venezuelas hodhi poshtë ultimatumin evropian që të mbajë një zgjedhje të re brenda tetë ditëve ose përndryshe evropianët do të njohin figurën opozitare Juan Guaido si udhëheqësin legjitim të Venezuelës. Tridhjetë vjeçari Guaido, një figurë e panjohur deri vonë, tashmë e ka shpallur veten "president të përkohshëm" të Venezuelës. Shtetet e Bashkuara e njohën shpejt atë si udhëheqës të vendit. Britania, Gjermania, Franca dhe Spanja njoftuan se do ta njihnin Guaidon nëse Maduro nuk do të organizojë zgjedhje të reja brenda tetë ditëve. Ministri i Jashtëm venezuelian Jorge Arreaza e ka kritikuar këtë ultimatum duke e quajtur si "lojë fëmijësh." "Europa na jep tetë ditë afat? Ku e merrni ju fuqinë për të vendosur një afat ose një ultimatum për një popull sovran" ,tha Arreaza në një sesion të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të shtunën. Vende të tjera, duke përfshirë Rusinë, Turqinë, Kinën dhe Iranin, kanë shprehur mbështetjen për qeverinë e zgjedhur në Venezuelë dhe kanë dënuar ndërhyrjen e huaj në këtë vend. Presidenti i tanishëm i Venezuelës ka besnikërinë e forcave të armatosura, megjithëse i dërguari i lartë ushtarak i Venezuelës në Uashington, koloneli Hoze Luis Silva, të dielën u bashkua me Guaido, duke u bërë thirrje oficerëve të tjerë ushtarakë të ndjekin shembullin e tij. Maduro të premten e akuzoi Trumpin se ka orkestruar një "grusht shteti" kundër qeverisë së tij duke mbështetur udhëheqësin e vetë-deklaruar të opozitës. Rusia gjithashtu ka akuzuar Uashingtonin për orkestrimin e një grushti shteti në Venezuelë. Uashingtoni ka një rekord të gjatë të sponsorizimit të fushatave "të ndryshimit të regjimit" në Venezuelë dhe në vende të tjera. Në vitin 2002, presidenti i vdekur i Venezuelës Hugo Chavez u rrëzua për dy ditë në një grusht shteti të mbështetur nga SHBA që u mposht përfundimisht. Pavarësisht ndërprerjes së lidhjeve diplomatike dhe ndërhyrjes amerikane në çështjet e brendshme të vendit të tij, Maduro në intervistën me CNN Turk nuk e përjashtoi mundësinë e takimit me Trump. Ai tha se një takim i tillë do të ishte i vështirë, por jo i pamundur.