Kryeministri rus: Dalja e Amerikës nga INF do të marrë përgjigje
Dimitri Medvedev kryeministër i Rusisë duke reaguar ndaj vendimit të Amerikës për daljen nga traktati INF ka deklaruar se Moska do të japë përgjigjen e saj.
Më herët presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar se Rusia ka pezulluar obligimet e saj që dalin nga Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi, që njihet me shkurtesën INF, vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendim të ngjashëm. Putin është takuar sot me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe atë të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për të diskutuar lidhur me vendimin e SHBA-së. “Ne do të përgjigjemi ndaj këtij veprimi. Partnerët tanë amerikanë kanë njoftuar për pezullimin e pjesëmarrjes së tyre në këtë traktat, kështu që edhe ne do ta bëjmë të njëjtën gjë”, u shpreh Putin. Putin e urdhëroi Lavrovin që të mos nisë asnjë bisedim të ri për INF-në me SHBA-në, duke thënë se Moska do të pres përgjigjen e Uashingtonit lidhur me propozimet paraprake të Rusisë për të shpëtuar këtë marrëveshje. “Gjatë viteve të fundit, ne kemi parë se partnerët tanë nuk po përkrahin iniciativat tona. E kundërta, ata vazhdimit kanë nxjerr pretekste për të dëmtuar sistemin global të sigurisë”, tha Putin. Ndërkaq, Putin shtoi se Ministria e Mbrojtjes do të nisë zhvillimin e kapaciteteve të reja të raketave bërthamore, përfshirë edhe raketat supersonike.