Mogherini: Kriza në Venezuelë duhet zgjidhur me mjete politike
(last modified Fri, 08 Feb 2019 07:45:44 GMT )
Shkurt 08, 2019 08:45 Europe/Tirane
  • Mogherini: Kriza në Venezuelë duhet zgjidhur me mjete politike

Shefja e politikës së jashtme të BE ka thënë se kriza në Venezuelë duhet zgjidhur me mjete diplomatike.

Deklarata e Federika Mogherini mbi krizën në Venezuelë bëhet në kohën kur një takim ndërkombëtarësh për të negociuar një zgjidhje për krizën venezuelase pritet të mbahet këtë të enjte në Montevideo, teksa presidenti Nicolas Maduro dhe udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido, vijojnë debatet nëse duhet të lejojnë apo jo ndihmat humanitare për vendin e gjunjëzuar nga kriza e mungesat e elementeve jetike. Bashkimi Europian, 8 vende të tjera europiane dhe 5 shtete amerikano-latine pritet të takohen në kryeqytetin e Uruguajit, me objektiv krijimin e kushteve për një proces politik paqësor, sipas burimeve diplomatike europiane të agjencisë “AFP”. Nisma, e lançuar fillimisht nga Meksika dhe Uruguaji si një konferencë “e vendeve neutrale” për Venezuelën, është zgjeruar më tej si një takim i “grupit të kontaktit”, lançuar nga BE-ja në fund të janarit, të cilit iu bashkuan Kosta Rika, Bolivia dhe Ekuadori. Maduro, i cili më herët kishte refuzuar një ultimatum të BE-së për të mbajtur zgjedhje të parakohshme presidenciale, mirëpriti takimin dhe shprehu mbështetjen për “të gjitha hapat dhe nismat që do të lehtësonin dialogun”.

Tags