Senati anulon gjendjen e emergjencës, Trump vendos veton kundër vendimit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i86497-senati_anulon_gjendjen_e_emergjencës_trump_vendos_veton_kundër_vendimit
Në kohën kur Senati amerikan ka marrë vendim për anulimin e gjendjes së emergjencës në Amerikë, presidenti Donald Trump ka përdorur të drejtën e vetos për anulimin e këtij vendimi.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 15, 2019 15:52 Europe/Tirane
  • Senati anulon gjendjen e emergjencës, Trump vendos veton kundër vendimit

Në kohën kur Senati amerikan ka marrë vendim për anulimin e gjendjes së emergjencës në Amerikë, presidenti Donald Trump ka përdorur të drejtën e vetos për anulimin e këtij vendimi.

12 senatorë republikanë janë bashkuar me rivalët e tyre demokratë për ta kundërshtuar planin e presidencës amerikane për murin kufitar me Meksikën. Rezoluta e propozuar nga opozita demokrate, dhe e kaluar fillimisht nga Dhoma e Përfaqësuesve, mori të enjten 59 vota në favor kundrejt 41 kundër. Republikanët që votuan kundër presidentit u shprehën se shpallja e gjendjes së emergjencës për qëllime investimi, siç ndodhi muajin e kaluar, do të shërbente si precedent për krerët e ardhshëm të shtetit për të avancuar axhendën e tyre politike pa konsensusin e Kongresit. Disa momente më vonë, vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se do ta kthejë pas rezolutën kur t'i paraqitet për nënshkrim. Trump: "Pres me padurim që të përdor veton ndaj rezolutës së frymëzuar nga demokratët, e cila i hap dyert krimit, trafikimit të drogave dhe të njerëzve në vend. Falënderoj të gjithë republikanët që e mbështetën sigurinë e kufijve dhe murin tonë të domosdoshëm!" Plani i shpallur nga Trump më 15 shkurt parashikon shfrytëzimin e buxhetit të destinuar për ushtrinë dhe dikastere të tjera qeveritare për të ndërtuar një barrierë kufitare me Meksikën rreth 3,200 kilometra të gjatë. Shtëpia e Bardhë ka argumentuar se situata në kufirin me fqinjin jugor, kriza e emigrantëve të paligjshëm dhe trafikimi i drogave në vend e justifikon murin, por demokratët e kanë cilësuar këtë lëvizje antikushtetuese dhe e kanë quajtur krizën një trillim të presidentit. Më herët Presidenti Donald Trump njoftoi marrëveshjen për të rihapur qeverinë amerikane për tre javë, pas  mbylljes rekord të agjencive federale. Gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se marrëveshja do të mundësonte financimin e qeverisë. Ai deklaroi se punonjësit e prekur të administratës, që ai i cilësoi patriotë të jashtëzakonshëm, tashmë do të marrin pagat e tyre të prapambetura. Marrëveshja nuk përfshiu asnjë shumë monetare që Trump kërkoi për të ngritur murin në kufirin me Meksikën. Presidenti republikan më herët ishte zotuar se s’do pranonte asnjë marrëveshje tjetër përveçse asaj që do të përfshinte 5.7 miliardë dollarë për të financuar zotimin e fushatës së tij.  Por demokratët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, kanë refuzuar me forcë financimin e ndërtimit të murit. Për këtë pikë, Trump tha se ligjvënësit do të negociojnë për paketën e sigurisë së kufijve. Megjithatë vota e Senatit kundër gjendjes së emergjencës, me anë të së cilës Donald Trump synonte të përdorte fondet publike për ndërtimin e murit ndarës me Meksikën, është një pikë negative për presidentin amerikan pasi shumica e senatit kontrollohet nga republikanët.