Barnier: Britania do të dalë pa marrëveshje
Po bëhet gjithnjë e më e mundshme që Britania të dalë jashtë Bashkimit Europian (BE) pa një marrëveshje, deklaroi kryenegociatori i bllokut për Brexit-in.
Michel Barnier tha të martën se zhvillimet e fundit në parlamentin britanik lidhur me marrëveshjen e Brexit-it të Kryeministres Theresa Maj po hapnin rrugën për një skenar pa marrëveshje. Zyrtari i BE tha se Londra kishte tre zgjedhje përpara datës së 12 prillit: një Brexit pa marrëveshje, qëndrimi në bashkimin doganor të BE ose mbajtja e një marrëdhënie të veçantë me bllokun të ngjashëm me Norvegjinë. Ligjvënësit britanikë dështuan përsëri të gjenin gjuhën e përbashkët, mbi propozimet për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në procesin e shkëputjes nga Bashkimi Europian. Dhoma e Komunëve votoi mbi 4 alternativa të planit të Theresa May për tërheqjen nga blloku, por asnjë prej tyre nuk mori dot shumicë votash. Europarlamentari gjerman, Jens Geier tha se në Parlamentin britanik ka një vetëbllokim qesharak dhe se Brukseli do të bjerë dakord me një zgjatje të afatit të “Brexit”-it përtej 12 prillit, vetëm nëse do të ketë një referendum të dytë. BE-ja ka thirrur një samit urgjent më 10 prill dhe paralajmëron se, pa një plan, Britania rrezikon që dy ditë pas kësaj date t’i ndërpresë në mënyrë të beftë marrëdhëniet me partnerin e saj më të madh tregtar, gjë që do të shkaktonte probleme të mëdha ekonomike.