Tërhiqet përsëri qeveria franceze
Kryeministri i Francës edhe një herë është tërhequr përballë kërkesës së protestuesve për uljen e taksave.
Eduard Filipe, me urdhër të presidentit Emanuel Macron ka thënë se qeveria duhet të ulë sa më shpejt që të jetë e mundur taksat si dhe të ulë shpenzimet e popullatës civile. Qeveria franceze u përball me kritika të ashpra për menaxhimin e rendit dhe sigurisë gjatë manifestimit të dhunshëm të jelekverdhëve. Kryeministri Eduard Filipe pranoi se qasja ndaj sigurisë një ditë më parë kishte qenë e gabuar dhe do të korrigjohet në të ardhmen, por vlerësoi reagimin e forcave policore ndaj protestuesve. Deklaratat e kreut të qeverisë erdhën pas një takimi urgjent me presidentin Emmanuel Macron, i cili pas protestave mori vendim për zbatimin e disa nga kërkesat të jelekverdhëve. Jelekverdhët u janë rikthyer protestave në Francë, por këtë radhë nën masa edhe më të rrepta sigurie. Autoritetet franceze vendosën marrjen e një serie masash shtesë sigurie, në përpjekje për të ndalur dhunën në protestat e jelekverdhëve. Qeveria këmbëngul se forcat e ushtrisë janë në dispozicion, vetëm me qëllim mbrojtjen e ndërtesave zyrtare dhe atyre të rëndësisë së veçantë. Protestat e jelekverdhëve nisën në nëntor dhe kanë hyrë tani në muajin e katërt të tyre, pa shenja se mund të ndalen, pavarësisht se pjesëmarrja në to ka shënuar rënie.