SHBA, 11 miliardë dollarë tarifa kundër BE
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar tarifa shtesë deri në 11 miliardë dollarë ndaj Bashkimit Europian pasi politikat e subvencionimit që unioni zbaton prej vitesh po dëmtojnë konkurrencën.
Agjencia amerikane për tregtinë ndërkombëtare informon se vendimi është marrë bazuar në konkluzionet e një raporti të Organizatës Botërore të Tregtisë, ku pala europiane fajësohet se me faljet e vazhdueshme fiskale e ka vënë prodhuesin francez të aeroplanëve, "Airbus", në konkurrencë të padrejtë përballë rivalit amerikan, "Boeing". Zëdhënësi i "Airbus" tha se akuzat për dëme rreth 11 miliardë dollarë që i janë shkaktuar SHBA-së si pasojë e subvencioneve nga BE-ja janë të ekzagjeruara. Sipas zyrtarëve amerikanë, tarifat disa miliard dollarëshe pritet të hyjnë në fuqi brenda pak muajsh nëse Bashkimi Europian nuk ndërron qëndrim. Lista e produkteve që do të preken më së shumti nga kjo betejë e re tregtare përfshin disa specialitete europiane, siç janë avionët e pasagjerëve, tipe të ndryshme djathërash dhe verërash, disa modele motoçikletash apo veshjesh. Tarifat e propozuara do i shtoheshin atyre që SHBA-të kanë vendosur prej vitit të kaluar ndaj importeve të çelikut dhe aluminit nga Europa, dhe rreth 2,8 miliardë euro tarifa që BE-ja miratoi në përgjigje ndaj produkteve me origjinë amerikane.